
Postuar: Shkurt 10, 2025 | 11:30
Me tri takime të luajtura të shtunën në Korçë dhe Tiranë është mbyllur java e nëntë në Superligën e volejbollit për femra.Skënderbeu ka shënuar një tjetër fitore, duke vijuar të mbetet i pathyeshëm në kampionat. Korçaret këtë herë mposhtën Dinamon në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”. Vajzave të Orlando Kojës u mjaftuan 79 minuta lojë për t’i mbyllur llogaritë në shifrat 3-0, duke i marrë bindshëm të tria setet përkatësisht 25-18, 25-16 dhe 25-18. Kapitenia Elena Bego udhëhoqi ofensivën korçare me 21 pikë të realizuara në këtë takim, ndërsa për Dinamo, amerikania Jenna Zyldo shënoi 13 pikë.
Fitore e pastër edhe për Partizanin, teksa të kuqet mundën Teutën 3-0 në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në një takim që zgjati 72 minuta. Partizani dominoi në të tria setet, duke fituar 25-18 në të parin, 25-21 në të dytin dhe 25-17 në fraksionin e tretë. Joana Kushi me 23 pikë si dhe Xhovana Kaçorri me 16 bënë diferencën në sulm për të kuqet që drejtohen nga trajneri Andi Lundra. Për Teutën shënuesja më e mirë ishte rusja Alisa Trubyuk.
Tiranës i mjaftuan 77 minuta lojë për të likuiduar Pogradecin me rezultatin 3-0 në sallën “Farie Hoti”. Një ndeshje e kontrolluar nga vajzat bardheblu që drejtohen nga Adrian Gorenca. Kryeqytetaset ishin superiore gjatë të gjithë kohës, për t’i marrë setet përkatësisht në shifrat 25-19, 25-18 dhe 25-16. Paraqitje për MVP nga Enkeleda Braho, e cila stampoi 18 pikë për Tiranën. Shonte Seale realizoi 15 për Pogradecin, por që mbeten vetëm për statistike, teksa liqenoret qëndrojnë në zonën “play out”.
PANORAMASPORT.AL
