
Vinicius Junior ka pranuar se është motivuar nga një baner provokues i tifozëve të Manchester Cityt gjatë ndeshjes së së martës në Champions League, ku Real Madrid ka triumfuar ndaj skuadres angleze në minutat e fundit.
Disa tifozë të City në “Etihad kanë shpalosur një baner ku mesfushori i tyre, Rodri, shfaqej me trofeun e “Topit të Artë”, i shoqëruar me një mesazh ku brazilianit i kërkohej të mos qante, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të Vinicius, i cili gjithashtu ishte përfolur se do ta fitonte çmimin.
“Po, e pashë banerin. Ndonjëherë tifozët kundërshtarë më motivojnë të jap më të mirën në fushë. E bëra sërish sonte dhe arritëm fitoren”, ka thënë braziliani, i cili është shpallur lojtari i ndeshjes.
Ai ishte vendimtar në aksionin e golit të vonshëm të Jude Bellingham, duke i dhënë fitoren Real Madrid në ndeshjen e parë të fazës së eliminimit direkt.
Real Madrid kishte vendosur të mos merrte pjesë në ceremoninë e “Topit të Artë” vitin e kaluar, pasi kishte kuptuar se Vinicius nuk do ta fitonte çmimin.
Në dhjetor, Vinicius është shpallur Lojtari më i Mirë i Vitit 2024 nga FIFA.
“Tani duhet të kthehemi në Madrid, ku tifozët tanë do ta bëjnë atmosferën të veçantë”, ka thënë braziliani pas ndeshjes së të martës. “Ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë, por duhet të vazhdojmë kështu dhe të mbrohemi mirë për të siguruar një tjetër natë magjike në shtëpinë tonë”.