
Postuar: Janar 14, 2025 | 23:01
Noitingem Forest ka vazhduar të konfirmohet si një surprizë e jashtëzakonshme në kampionatin anglez, teksa ka qenë skuadra e parë e këtij edicioni që ka ndalur dy herë Liverpulin kryesues, për të mbajtur hapur garën për titullin.
Pas fitores 1-0 në fazën e parë të kampionatit, skuadra e cila në mënyrë papritur e sheh veten si kandidate serioze për titullin kampion përballë të kuqve, ka tentuar të përsëritë historinë dhe iu afrua pasi kaloi në avantazh që në minutat e parë me anë të Ud (VIDEO).
Por Liverpuli që rrezikonte të shihte t’i zhdukej e gjithë diferenca që kishte krijuar në pjesën e parë të sezonit, reagoi dhe kërkoi me ngulm barazimin duke e kthyer në një shënjestër portën e vendasve, derisa tundi rrjetën me Zhota (VIDEO).
Rastet nuk munguan deri në vërshëllimën përfundimtare, por gjithçka u mbyll me shifrat 1-1, që lënë Liverpulin ende të shkëputur në kreun renditje, por me barazimin e dytë radhazi që lëkund disi pozitat e ekipit të Arne Slot.
PANORAMASPORT.AL
