
Postuar: Janar 29, 2025 | 11:27
Ajo që po ndodh me merkaton dimërore të Pogradecit është disi e çuditshme. Ildian Shyti iku pa ardhur mirë, pasi mesfushori as që arriti të luajë për liqenorët. Rei Zaimi ishte afrimi i parë i Pogradecit në këtë merkato, i cili erdhi nga radhët e Elbasanit.
Qendërmbrojtësi ka luajtur tre ndeshje me liqenorët, e fundit në Tropojë, ku u zëvendësua në minutën e 69-të. Pas 249 minutash lojë me Pogradecin, ka përfunduar edhe aventura e 26-vjeçarit me skuadrën e drejtuar nga trajneri Ardian Mema. “Panorama Sport” ka mësuar se Zaimi nuk do të jetë më pjesë e Pogradecit, pasi palët janë “divorcuar” shumë shpejt. I pyetur nga gazeta për arsyet e largimit, mbrojtësi Rei Zaimi u shpreh: “Po është e vërtetë që e kam mbyllur me Pogradecin, vendim i cili për arsye të mia personale”. Mbetet për të parë se cili do të jetë destinacioni i ri i Zaimit.
NDERIM GOCI – PANORAMASPORT.AL
