
Postuar: Janar 14, 2025 | 13:57
Trajneri i Çelsit Enco Mareska e nisi konferencën e tij për shtyp përpara ndeshjes me Bornmëthin në “Stamford Bridge” me lajme nga merkatoja.
Ai diskutoi me gazetarët në lidhje me zërat se ka një marrëveshje që Renato Veiga t’i bashkohet Borusias së Dortmundit: “Nuk jam në dijeni se ka një marrëveshje për Renaton. Ai ishte këtu me ne dje duke punuar, ai do të jetë këtu sot. Për momentin ai është me ne si lojtar, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë. Po, unë kam biseduar me Renaton, i kam thënë pikërisht të njëjtën gjë që po ju them edhe juve. Ai duhet të luajë në pozicionin me ne, që i jep atij mundësinë t’i bashkohet kombëtares dhe t’i japë atij mundësinë për t’u folur për të. Klubet janë të interesuara për të. Ato kërkojnë lojtarë që po ecin mirë. Një lojtar që dëshiron të luajë vetëm në një pozicion, duhet të përshtatet. Ata duhet të mësojnë të luajnë pozicione të ndryshme”.
Pasi u pyet nëse Veiga do të donte më shumë minuta në Londër, Mareska u përgjigj me humor: “E kam thënë shumë herë. Edhe unë dua të kem flokë të gjatë… Ne kemi më shumë se 20-25 lojtarë, të gjithë duan të luajnë, por nuk është e mundur”. Kerni Çukvuemeka dhe Ben Çiluell janë dy lojtarë që pritet të largohen nga Blutë dhe tekniku italian shpreh në veçanti keqardhje për Çiluellin, i cili nuk është në planet e tij: “Ben ka qenë një profesionist i vërtetë. Ai punon shumë. Ndjej turp për shkak të situatës, por, për sa i përket sjelljes, ai ka qenë shumë i mirë. Ai nuk luan para së gjithash sepse është zgjedhja ime. Unë shoh që Malo Gusto, Ris Xhejms ose Mark Kukureja mund të bëjnë punë të ndryshme gjatë lojës. Çiluell është një mbrojtës shumë i mirë krahu, i cili e bën atë punë lart e poshtë dhe i është dhënë mundësia në të kaluarën për të fituar tituj dhe për të qenë në ekipin kombëtar, por kam vështirësi të shoh Benin duke bërë gjëra të ndryshme”.
PANORAMASPORT.AL
