
Postuar: Janar 15, 2025 | 19:17
Skuadra e Valbonës po stërvitet rregullisht për ndeshjen e radhës që do ta zhvillojë të dielën në Peshkopi kundër Korabit. Një gol i Taulant Markut u ka dhënë tri pikët dibranëve në Tropojë gjatë fazës së parë. Kështu që, Valbona kërkon të rikuperojë pikë dhe revansh këtë radhë në Peshkopi, për të marrë tri pikët e lëna në Tropojë.
Sot Valbona do të kryejë një ndeshje miqësore me Sopotin, në mënyrë që të testohen futbollistët që kanë ardhur për provë te skuadra tropojanë. Një javë më parë, këta lojtarë patën mundësi që testoheshin në një ndeshje miqësore kundër Turbinës. Në këtë test spikatën disa prej tyre, ku më shumë ra në sy sulmuesi koplikas, Lorian Petraçaj, që vjen nga grupmoshat e Veleçikut. Drejtuesit kërkojnë edhe një provë tjetër, ndoshta për të marrë edhe konfirmimin e fundit nga testuesit. Lidhur me takimin që skuadra tropojane do të zhvillojë të dielën në Peshkopi, mbrojtësi matjan Alvarao Ferruku ka besim te rezultati pozitiv.
Alvaro, djali i legjendës matjane, Dali Farruku, për “Panorama Sport” u shpreh se Valbona ia ka marrë dorën transfertave dhe nuk i frikësohet asnjë ekipi. Kështu që, edhe në Peshkopi tropojanët nuk heqin dorë nga marrja e pikëve të mundshme. “Valbonës ka treguar se është një “kockë e fortë” për çdo ekip. Kemi luajtur mirë në çdo fushë dhe statistikat flasin se më shumë pikë kemi marrë në transferta se sa në shtëpinë tonë. Ndaj, edhe në Peshkopi do të shkojmë për të marrë pikët. Objektivi është fitorja, por minimumi që kërkojmë në Peshkopi është marrja e një pikë, që mos dalim duarbosh”.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
