
UNESCO ka ndaluar punimet në ndërtimin e rrugës dhe hekurudhës nga Trebenishti në Qafë Thanë e cila duhet të lidhet me autostradën Kërçovë – Ohër, në pjesën e mbrojtur të liqenit të Ohrit. Ministri i Transportit Nikollovski tha se ajo pjesë duhet të ndërtohet në trase krejtësisht të re
“Sigurisht që do të përshtatemi me kërkesat e tyre. A do të thotë kjo zhvendosje e trasesë më në veri, apo do të thotë rrugë krejtësisht e re, a do të mund të përshtatemi në trasenë ekzistuese, apo do të nënkuptojë shteg nga Podmolja në Strugë, e cila do të shërbente si lidhje me autostradën ekzistuese Ohër-Kërçovë, këto janë gjëra që do t’i diskutojmë. Por këtu kemi situatë unike dhe vetëm këtu nuk do të doja të lidhesha me afate”, deklaroi Aleksandar Nikolloski- ministër i Transportit dhe i Lidhjeve.
Nikollovski tha se autostrada Kërçovë-Ohër, e cila është në ndërtim e sipër për 11 vite, është projektuar keq, pasi seksioni i autostradës kalon nëpër ndërtesa të kategorisë A, të cilat nuk mund të shpronësohen. Por ai nuk tregoi se si planifikojnë ta zgjidhin këtë problem. Për riparimin e 11 rrëshqitjeve ekzistuese që janë paraqitur gjatë ndërtimit, janë angazhuar ekspertë të huaj
“Ajo kalon nëpër zonë të mbrojtur në aeroport, kalon nëpër pika karburanti, kalon nëpër spitale dhe nëpër hotele. Këto janë objekte që nuk mund t’i shpronësoni. Shpronësimi bëhet deri tek shtëpitë. Prandaj gjetëm zgjidhje. Të martën e kaluar kaloi në Qeveri, të hënën hyn në Parlament dhe pres që pas dy-tre javë të votohet ai ligj dhe kështu të zgjidhim problemin e dytë me objektet në trase. Unë do t’ju tregoj se si është projektuar kur të përfundojmë autostradën, sigurisht që është projektuar keq”, shtoi Aleksandar Nikolloski- ministër i Transportit dhe i Lidhjeve.
Ai nuk përjashton mundësinë e rritjes së çmimit të aksit Kërçovë-Ohër, ndërtimi i së cilës deri më tani ka kushtuar 600 milionë euro. Shton se është çështje komplekse që s’mund të zgjidhet me “po” ose “jo”. Nikolloski qëndron në premtimin e tij se autostrada 57 kilometra do të përfundojë deri në fund të vitit 2026 dhe në fillim të kësaj vere do të hapet pjesa nga fshati Vërbjan deri në Ohër. (Alsat.mk)