
Ministri për ҫështje evropiane, Orhan Murtezani u takua sot me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq. Në takim u shkëmbyen mendime për iniciativat rrjedhëse për integrimin rajonal dhe rolin e Këshillit në mbështetjen e progresit të vazhdueshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt ambicieve të tyre evropiane, kumtoi Ministria për çështje evropiane.
Theksi i veçantë në bisedime u vendos në Planin e veprimit për Tregun e përbashkët rajonal, i cili është pjesë e shtyllës së dytë të Planit të rritjes së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Murtezani dhe Kapetanoviq theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe konkurrueshmërisë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim të integrimit në tregun e vetëm evropian, i cili paraqet një nga qëllimet kryesore të Planit të rritjes.
Ministri dhe Sekretari i Përgjithshëm konkluduan se zbatimi i Planit të veprimit është kyç për avancimin e integrimit ekonomik, si dhe krijimin e kushteve të favorshme për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve. Poashtu theksi u vendos në rëndësinë e bashkëpunimit në departamentet e energjisë, transportit dhe digjitalizimit, të cilat do ta përmirësojnë konkurrencën e rajonit dhe do të kontribuojnë në stabilitetin ekonomik të tij.
“Murtezani shprehu mirënjohjen për mbështetjen nga Këshilli për të gjitha nismat që avancojnë dialogun dhe integrimin rajonal dhe riafirmoi përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të vazhduar përpjekjet e saj reformuese dhe për të investuar në integrimin ekonomik dhe harmonizimin me standardet evropiane”, qëndron në kumtesën nga Ministria për çështje evropiane.