
Egnatia luan të dielën për të mbajtur vendin e parë dhe thyer një tabu: të mundë Teutën. Duket e çuditshme për kampionët në fuqi që të kenë tabu sa i përket fitoreve në kampionat me ndonjë kundërshtar, por me durrsakët është pikërisht e tillë.
Jeshilbardhët nuk e kanë mundur asnjëherë Teutën në shtëpinë e tyre, të paktën këto dy dekadat e fundit. Nuk ia kanë dalë as këto sezonet e fundit ku janë një ekip që nuk kanë njohur rivalë. Për këtë arsye, sfida me durrsakët është e një rëndësie të veçantë për rrogozhinasit, për më tepër që do të bëjnë edhe inaugurimin e një ndeshjeje me drita pas rikonstruksionit të stadiumit.
Lajmi i keq është se për arsye kartonësh do të mungojë golashënuesi Regi Lushkja, ndërsa mbrojtësi Edison Ndreca la fushën i dëmtuar në Kupë ndaj Bylisit. Nga ana tjetër, pritet që Albano Aleksi t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe me shumë gjasa mund të mungojë ndaj durrsakëve këtë fundjavë. Pa tri shtylla kryesore, vështirësohet më shumë thyerja e tabusë që mban emrin e Teutës.
MINI KRIZA – Deri para dy ndeshjeve, ekipi i Edlir Tetovës dukej si një makineri perfekte që nuk po vinte më në diskutim marrjen e fitores. Mirëpo, u deshën dy ndeshje me rivalë modestë në krahasim me ta, që të tregonin se rrogozhinasit kanë problemet e tyre. Nisi me humbjen minimale në Korçë përballë Skënderbeut, ku i dhanë mundësinë kundërshtarëve t’u afrohen në kreun e renditjes dhe tanimë të mos jenë aq të sigurtë për vendin e parë.
U duk si një aksident që do e merrnin veten, por edhe në Kupë ndaj Bylisit treguan sërish probleme dhe për një moment vunë në rrezik edhe kualifikimin, ndonëse në fund e arritën pas fitores 3 me 1 në ndeshjen e parë. Pra, dy ndeshje me rivalët që luajnë për mbijetesë treguan se Egnatia është në një mini-krizë dhe vetëm fitorja e së dielës me Teutën mund të rikthejë sërish qetësinë.
EUFORIA – Egnatia vinte pas një ecurie prej nëntë fitoresh radhazi që nisi në ndeshjen e fundit të vitit të kaluar, kur mundi Kukësin në Superkupë. Më pas, mes Kupës dhe kampionatit u sigluan tetë fitore të tjera njëra pas tjetrës, duke e kthyer Egnatian të frikshme dhe të pathyeshme. Ajo që i druheshin më shumë në kampin rrogozhinas ishte pikërisht euforia që mund të kapte lojtarët dhe mesa duket kjo gjë ndodhi.
Pas këtyre dy rezultateve të fundit, drejtuesit po mundohen të ulin me “këmbë në tokë” skuadrën, sepse pjesa më e vështirë nis tani në fazën e fundit, ku të gjitha skuadrat do të përpiqen të marrin maksimumin dhe të mos gabojnë më.
V. MEMA- PANORAMASPORT.AL
