
Postuar: Shkurt 5, 2025 | 17:27
Niko Gonzalez ishte goditja më e rëndësishme e Mançester Sitit në ditën e fundit të merkatos, ndërsa mesfushori u transferua nga Porto për 50 milionë paund, duke e dërguar në 177 milionë paund shifrën e shpenzimeve të “Qytetarëve” në merkaton e janarit.
Ata kanë afruar katër lojtarë të rëndësishëm në mes të sezonit (erdhën edhe Omar Marmush, Abdukodir Khusanov dhe Vitor Reis). 23-vjeçari, i cili është monitoruar nga kampionët e Anglisë që kur ishte adoleshent, ka shënuar shtatë gola dhe ka regjistruar gjashtë asiste në 29 paraqitje deri më tani këtë sezon. Afrimi i një mesfushori me karakteristikat e tij ishte i një rëndësie madhore për skuadrën e Guardiolës, pas humbjes së shërbimeve të Rodrit.
Ata kanë qenë pa fituesin e “Topit të Artë” në skuadër që kur ai pësoi dëmtimin e rëndë në gju në shtator. “Kjo është mundësia perfekte për mua në këtë fazë të karrierës sime. Dua të testoj veten në Angli. Nuk ka klub më të mirë se Mançester Siti për ta bërë këtë. Nuk ka një futbollist në botë që nuk do të donte të ishte pjesë e këtij klubi. E di reputacionin që ka Pep dhe mezi pres të punoj me të. Në fakt, jam i nderuar që ai dëshiron që unë të luaj në ekipin e tij”, tha Gonzalez.
Ai iu bashkua akademisë së Barcelonës në vitin 2013 dhe bëri 27 paraqitje para se t’i bashkohej Portos në një marrëveshje me vlerë 8.5 milionë euro në vitin 2023. Barcelona do të përfitojë 40 për qind të tarifës së transferimit që Siti do t’i paguajë Portos.
Drejtori sportiv i Sitit, Txiki Begiristain, tha pas zyrtarizimit të mesfushorit: “Niko është një mesfushor i ri shumë i talentuar. Ai është një blerje ideale për Mançester Sitin. Ishte një transferim i vështirë për t’u përfunduar, sepse paraqitjet e tij kanë qenë të jashtëzakonshme dhe ai ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e asaj që Porto po bën këtë sezon. Ne jemi vërtet të lumtur që ia dolëm ta bëjmë këtë përpara mbylljes së merkatos”.
PANORAMASPORT.AL
