
Bledi Shkëmbi ka folur para ndeshjes që Tirana do të luajë me Teutën. Ky takim vlen për javën e 26-të të Superiores dhe vendos përballë dy skuadra që luftojnë për mbijetesë.
“Çdo javë na duket vendimtare, është sfidë e vështirë me skuadër të vështirë, që ka nevojë për pikë si ne. Shpresoj të bëjmë më të mirën dhe të marrim më të mirën, kemi punuar gjatë gjithë javës dhe shpresoj të na shpërblehet.
Kemi edhe 1 stërvitje për të parë nga dëmtimet se kush do të jetë gati. Na janë kthyer Marku, Përgjoni dhe Mici nga kartonët. Grupi është pak më i plotë. Për të dëmtuarit do të presim dhe sot.
Teuta është skuadër ku unë si lojtar dhe trajner më ka hapur dyert, kam krijuar karrierën si futbollist dhe trajner. Teuta është skuadër shumë agresive, mendoj se në ndeshjet e fundit ka merituar më shumë pikë se ka marrë.
Tirana mendoj që ka diçka më shumë sepse kështu edhe duhet ta mendoj, Teuta ndoshta mendon se ato kanë diçka më shumë. Është normale. Shpresoj shumë dhe jam i bindur që do të bëjmë mirë, duke parë skuadrën çdo ditë në stërvitje.
Ne kemi presion, pavarëisht se fituam ndeshjen e fundit. Fituam me lojë jo shumë të mirë, pavarësisht se skuadra meriton komplimenta sepse ishim shumë të cunguar, por nuk bëmë lojën më të mirë që do të donim. Vazhdojmë, duhet të luftojmë dhe vrapojmë shumë për të marrë pikë javë pas javë. Edhe me 1 fitore, barazim apo humbje, ka akoma ndeshje dhe duhet të bëjmë maksimumin”, u shpreh Shkëmbi.
PANORAMASPORT.AL
