
Postuar: Shkurt 3, 2025 | 10:53
Bajern Mynih tregoi disa “fytyra” në ndeshjen kundër modestëve të Holshtain Kil, por në fund arriti të fitonte 3 pikët.Ndeshja në letër u mendua se do të ishte e thjeshtë dhe kështu rezultoi deri në minutën e 61’. Tashmë të besuarit e Vinsent Kompani regjistrojnë 51 pikë pas 20 javësh kampionat, 6 më tepër se Bajer Leverkusen, e ku “Aspirinat” janë ndjekësi më i afërt.
NDESHJA – U deshën të kalonin 19’ minuta lojë për të parë golin e parë. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, Bajerni kalon në avantazh me Xhamal Musiala. “Bambi” merr pasim të bukur nga Olize dhe tregoi i saktë në goditjen finale. Në limitet e kohës shtesë në pjesë e parë Kejn dyfishon shifrat, duke hipotekuar në njëfarë mënyre 3 pikët. Sapo nis pjesa e dytë Herri shënon sërish dhe e bën rezultatin 3-0, për t’i lënë radhë golit të 4-të me autorë Serzh Gnabri (64’). Me këtë dominim absolut të bavarezëve u hodh ideja e një goleade nga vendasit, por nuk ndodhi kështu. Në minutën e 62’ Porat konkretizon golin e parë për Holshtain Kil. Miqtë nuk u “kursyen” me kaq, ata finalizuan edhe në dy raste të tjera, e ku e hapën ndeshjen në frymën e fundit, por fatmirësisht pa pasoja për rekordmenët e Gjermanisë. Një ndeshje e cila lë shumë pikëpyetje, përveç Kejnit dhe 3 pikëve.
REKORDI – Erling Haland në periudhën kur inkuadrohej te Borusia Dortmundi arriti të shënonte 50 gola në 50 ndeshjet e parë me verdhezinjtë, e përkthyer me rekord. Ama Herri Kejn ka shkuar në një tjetër nivel. Kundër Holshtain Kil ai bëri 54 dhe 55 gola në 50 prezencat e parë të Bundesligës. Shifër vërtetë e çmendur nga “bisha” angleze, megjithëse ende jo produktive përsa i takon fitimit të trofeve në Mynih.
KEJN – “Thyerja e një rekordi të tillë do të thotë shumë për mua. E kuptueshme se sulmuesit vlerëson rreth golave. Por, pa këtë ekip të mrekullueshëm nuk do e kisha arritur dot diçka të tillë. Ja me fat që gjendem te Bajerni dhe me futbollistë të klasit botëror. Koha ta hedhim vështrimin te dueli i radhës. Muaj shkurt do të jetë shumë i rëndësishëm, pasi do duelojmë me rivalë të fortë, si në Champions, ashtu edhe në Bundesligë. Ne duhet të jemi të gatshëm për t’i përballuar këto sfida me sukses”, e mbylli goleadori i kampionatit gjerman në edicionin 2024-2025.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL
