
Bedri Omuri mendon se Tirana nuk e meriton vendin që ka aktualisht në renditje, por sipas tij, një fitore në derbi do t’i jepte një shtysë të madhe për ta ngjitur.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-lojtari i brezit të artë bardheblu, theksoi se skuadra është penalizuar nga gjyqtarët dhe organikën nuk e ka për fundin e tabelës. Omuri analizoi edhe kampionatin shqiptar në tërësi.
Zoti Omuri, si e keni parë Tiranën këto 23 javë kampionat?
Pavarësisht gjendjes së keqe që janë në klasifikim dhe ndërrimit të shpeshtë të trajnerëve, që ka dhënë ndikimin e vetë në skuadër, mendoj se nuk është se Tirana ka ekip të keq. Kjo skuadër nuk duhet të jetë kaq keq në renditje, por futbolli ndonjëherë është i habitshëm. Përtej të tjerave, mund të them se shumë shpejt mund të ketë rezultate pozitive.
Mendoni se Tirana gaboi me shkarkimin e Shkëmbit herën e parë?
Për mua po. Gabimi ishte i madh, sepse nuk mund të ndryshonin menjëherë trajnerët. Për më tepër në një skuadër të re. Për tre-katër muaj të ndryshosh tre trajnerë, unë nuk di se çfarë të them.
Ju më lartë thatë që Tirana nuk ka skuadër për këtë renditje. Është çështje fati, gjykimesh apo kohezioni në ekip?
Vazhdoj ta mendoj një gjë të tillë. Po ju jap një argument. Në sfidën me Vllazninë, që Tirana u mund, pjesa e parë duhet të mbyllej 3-0 për Tiranën. Bënë dy gabime, pësuan gol, ku ishin katër mbrojtës dhe një kundërshtar si Balaj. Nuk e di ç’të them. Si të habitshëm këto golat që pëson Tirana.
Për të riparuar skuadrën, në janar janë afruar disa futbollistë. I ke parë dhe a ke ndonjë vlerësim?
Qendërsulmuesi më ka pëlqyer për aq sa e kam parë (i referohet Ernest), pasi këtë sfidë ishte i pezulluar me karton të kuq. Do të jetë një shtysë për sulmin. E përsëris, Tirana jo se po luan keq, por nuk po shënon gol dhe pëson shumë kollaj.
Siç ua pyeta edhe më lart, problemi i grupit është çështje kolaudimi?
Këtë nuk e di, pasi nuk jam aty brenda. Me fjalët që kanë dalë, problemi është brenda ndoshta te pagesat, por këto janë fjalë dhe nuk dua t’i besoj apo janë të mirëqena. Thjesht kjo nuk është gjendja reale e skuadrës bardheblu.
Tirana duhet të ishte më lart, pasi është skuadër më e mirë se disa grupe të tjera. Tirana do të luajë derbin me Partizanin këtë të dielë, një ndeshje që duhet ta fitojë për pozitat që ka. Mendon se ia del?
Derbi mbetet derbi. Unë nuk e di se ku do të luhet. Ndoshta atje te “Arena e Demave”. Favoritë nuk ka, pasi kur je mirë mundesh dhe kur je keq, fiton. Këtë herë ata janë më mirë në renditje, por në lojë janë të trija rezultatet.
Nga dy skuadrat e kryeqytetit, cili është grupi më i mirë në cilësi dhe organikë?
Partizani vjen më e kolauduar si skuadër. Tirana nuk është keq si elementë, por kundërshtari ka disa lojtarë vendimtarë. Diferenca nuk ka, por derbi mbetet derbi dhe rezultati vendoset në fushë. Besoj se nuk ndikon as fakti që Tirana ka tre vite pa fituar, pasi edhe më parë e ka kaluar këtë vështirësi dhe ia doli të fitojë. Unë mendoj se Tirana merr rezultat pozitiv në derbi.
Tirana është ankuar për gjykimin, si për sfidën ndaj Elbasanit, por edhe në takime të tjera gjatë kampionatit. Si e mendoni?
E kam parë ndeshjen dhe jam dakord se ka pasur dëme nga gjykimi.
Po Kategorinë Superiore të sivjetshme si e vlerëson dhe cilat janë skuadrat pretendente?
Katër ekipet e para do të jenë në lojën për titullin kampion. Ekipet e tjera do të luajnë për mbijetesë. Ky është mendimi im.
E rrezikon Tirana rënien nga kategoria?
Unë jam i bindur se nëse do të mundë Partizanin, do të ecë shumë përpara.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL
