
Qendra e Kulturës në Tetovë është një nga institucionet që prej vitesh nuk drejtohet nga një drejtor, por ushtrues detyre, të cilët duket se është vështirë të gjenden. Ndërsa konkursi për zgjedhjen e një drejtori të ri të Qendrës së Kulturës në Tetovë dështoi, u.d. drejtor Fatlind Ajdini vazhdon të qëndrojë në atë post pa vullnetin e tij edhe pas dy kërkesave për dorëheqje
Evis HALILI
Shkup, 21 janar – Drejtori i Qendrës së Kulturës në Tetovë, pavarësisht dy kërkesave për dorëheqje drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, vazhdon të qëndrojë forcërisht në këtë post. Fatlind Ajdini, ushtruesi i detyrës prej më shumë se tre muajsh, thotë për KOHA se nuk dëshiron të jetë në këtë pozicion, për shumë arsye. Njëra arsye është presioni për projektin Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, projekt që mbikëqyret nga Qendra e Kulturës. Ajdini u emërua pas shkarkimit të ish-ushtruesit tjetër të detyrës, Vullnet Fejzullai, me premtimin që të qëndronte provizorisht në këtë detyrë deri në shpalljen e konkursit. Dhe ndërsa konkursi për drejtor (i shpallur në muajin nëntor-dhjetor) dështoi, Ajdini parashtroi menjëherë kërkesën për dorëheqje. Nga Ministria e Kulturës nuk pati reagim. Po ashtu, edhe pas kërkesës së dytë, drejtuar javën e kaluar, nuk reagon ministria.
“Nuk kam pasur interes për të qenë drejtor dhe as nuk konkurrova. E mora përsipër si detyrë për pak ditë, deri në zgjedhjen e një drejtori të ri, por po kalojnë muaj dhe jam këtu pa dëshirën time. Nuk dua të marr asnjë lloj përgjegjësie, sidomos lidhur me Teatrin dhe Bibliotekën, presioni është i madh dhe kërkoj t’më shkarkojnë që të kthehem në vendin e mëparshëm të punës”, thotë Ajdini. Të pyetur nga KOHA, në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit komentojnë shkurt: “Ministria e Kulturës dhe Turizmit është duke proceduar sipas kërkesës së u.d. drejtorit dhe në një afat kohe sa më të shpejtë do të emërohet një drejtor ushtrues detyre i ri”.
Hetimet lidhur me abuzimet financiare për projektin Teatri dhe Biblioteka e Tetovës nga Gjykata Themelore në Shkup, kanë krijuar situata të palakueshme për ata që do të duhet të drejtojnë Qendrën e Kulturës, e cila ka nën kompetencat e veta punimet për këtë objekt. Por edhe vetë projekti, ecuria e të cilit është vënë në pikëpyetje nga vetë shuma që Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka planifikuar për këtë vit 2025, duke reduktuar në formën më të mundshme drastike mjetet financiare për të.
Në dokumentin “Propozim-buxheti i vitit 2025”, Ministria e Kulturës ka akorduar jo më shumë se 15 milionë denarë për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës, duke devijuar mbi 20 fish më pak nga shuma e parashikuar për vitin 2025 që duhej të ishte 300 milionë denarë. Nëse kostoja totale e objektit duhet të jetë 1.450.000.000 denarë, në 2024 u vunë në dispozicion 200 milionë denarë dhe parashikoheshin që për vitin 2025 – të akordoheshin 300 milionë denarë, ndërsa për 2026 – 330.500.000 denarë.
Qendra e Kulturës në Tetovë prej disa vitesh udhëhiqet nga drejtorë të komanduar, mandati i të cilëve është zgjatur disa herë rresht. Ndryshimet më të mëdha sa i takon titullarëve janë këto dy vitet e fundit ku janë ndërruar tre drejtorë, ushtrues detyre, Haki Fazlliu, Arlind Huseini, Vullnet Fejzullai dhe Fatlind Ajdini. (koha.mk)