
Gjykata Kushtetuese me shumicë votash hapi procedurë për vendimin e Qeverisë, me të cilin Medreseja Isa Beu mori statusin e shkollës së mesme të rregullt me qëllim që të tejkalohet problemi i nxënësve që mbaronin medresenë dhe nuk mundeshin të vazhdonin shkollimin e lartë në universitetet shtetërore. Sipas kësaj, në fazën e radhës Gjykata Kushtetuese duhet të miratojë vendim përfundimtar, me të cilin do ta shfuqizojë ose anulojë vendimin e Qeverisë.
Sipas iniciativës së dorëzuar në kushtetuese, vendimi i Qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga Talat Xhaferi, është antikushtetues pasi themeluese e kësaj shkolle është Bashkësia Fetare Islame, ndërkaq sipas paragrafit 2 të amendamentit 7 të Kushtetutës, bashkësitë fetare mund të themelojnë vetëm shkolla fetare, por jo edhe civile.
Këtu se mbrojmë as islamin e as krishterimin, por sekularitetin e shtetit sepse do të nisin të gjitha bashkësitë fetare të themelojnë gjimnaze, theksoi gjykatësja referuese e lëndës Ana Pavllovska Daneva, duke mbështetur iniciativën. Siç u shpreh ajo, zgjidhja e problemit me nxënësit, mund të bëhet vetëm nëse ndryshohet Kushtetuta.
Faleminderit Zotit që gjykatësit kushtetues paraprak e kanë ruajtur sekularitetin e shtetit, tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, i cili mbështeti iniciativën dhe theksoi se kjo Gjykatë ka dosje të madhe të vendimeve me të cilat është shprehur qartë për ndarjen e shtetit nga religjioni. Sipas tij, bashkësitë fetare janë të ndara nga shteti dhe çështja është e qartë se ata s’kanë të drejtë të themelojnë shkolla civile, por vetëm fetare.
Mbështetje për iniciativën dhanë edhe gjykatëset Dobrilla Kacarska, Tatjana Vasiq Bozaxhieva dhe Jadranka Daboviq – Atastasovska.
Megjithatë, më i zëshmi kundër kësaj iniciative ishte gjykatësi Fatmir Skender, i cili tha se me vendimin e qeverisë nuk është shkelur sekulariteti, pasi në amendament askund nuk shkruan se ndalohet themelimi i shkollave private me karakter civil nga ana e bashkësive fetare. Sipas tij, me Ligjin për Arsim të Mesëm shkollat mund të themelohen nga subjekte fizike dhe juridike, ndërkaq në këtë rast, këtë cilësi e ka Bashkësia Fetare Islame e cila është subjekt juridik që është i regjistruar në Regjistrin Qendror. Skender tha se është diskriminim që vetëm bashkësive fetare u ndalohet të themelojnë shkolla.
Gjykatësi Osman Kadriu, tha se sekulariteti nuk nënkupton se mes shtetit dhe bashkësive fetare të mos ketë asnjë pikëtakim, në asnjë bazë. Sipas Kadriut, Kushtetuta jonë ka zgjidhje progresive sa i përket themelimit të shkollave private, ndërkaq kjo parashikohet me nenin 45 që qytetarëve u lejon të themelojnë shkolla, përveç nivelit fillor. Atëherë, sipas Kadriut edhe anëtarët e bashkësive fetare janë qytetarë dhe për këtë duhet të bëhen analiza shtesë para se të vendoset.
Në një linjë me Kadriun është edhe gjykatësi Naser Ajdari, i cili gjithashtu kërkon analiza shtesë për shkak se çështja është e ndjeshme. Madje sipas Ajdarit, është diskutabile edhe çështja që Gjykata Kushtetuese ka kompetencë të vendos për vendimin e qeverisë, i cili është akt i veçantë.
Më 26 mars të vitit të kaluar, qeveria e udhëhequr nga Xhaferi njoftoi opinionin nëpërmjet një komunikate se ka zgjidhur problemin e nxënësve të Medresesë Isa Beu, të cilët nuk mund të futeshin në provimin e maturës shtetërore e më pas dhe të regjistroheshin në universitetet shtetërore. Me vendimin, Medreseja, e cila paraprakisht funksiononte shkollë fetare islame u transformua në gjimnaz privat, e cila do të zhvillonte procesin mësimor ashtu si të gjitha shkollat tjera, sipas programit të Byrosë për Zhvillimit të Arsimit. Shfuqizimi apo anulimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese, do të kthente procesin mbrapa.(Alsat.mk_