“Socialistët e ndershëm të bashkohen me ne”- Ftesa e Sali Berishës: Ju garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ftoi edhe socialistët e ndershëm që t’i bashkohen opozitës, duke garantuar se forca politike që ai drejton po bën gjithçka për një front të gjerë opozitar.

“Ndaj të vazhdojmë ne betejën tonë në çdo derë, në çdo mendje, në çdo zemër, për fitoren e thellë dhe përfundimtare të opozitës shqiptare më 11 maj.

Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar.

Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës.

Ftoj socialistët e ndershëm, që i shfrytëzoi gjer në palcë rilindja e Edi Ramës, të bashkoheni me ne, sepse programi ynë është program për të gjithë shqiptarët.

Është programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, programi i përmbysjes së modelit të deritanishëm të përdorimit të buxhetit, programi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, programi i modernizimit të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera.

Ftoj të gjithë elektoratin gri: mos harroni gjë, historia ne shqiptarëve na ka mësuar se e keqja, se diktatura pas lufte nuk desh asgjë tjetër përveç heshtjes së shumicës.

Se shumica e heshtur, me dashje apo pa dashje bëhet aleate e diktaturës. Ndaj të ngrihemi, heshtja të mos na topisë, por të shkojmë tek kutia e votimit. Të marrim të gjitha përgjegjësitë qytetare për të votuar dhe larguar me votën tonë regjimin më të keq, diktaturën më të keqe, më antishqiptare.

Regjimin që kreu gjenocid të butë duke përzënë 1 milionë shqiptarë në 10 vite, regjimin e Edi Ramës.

E kemi detyrim madhor ndaj fëmijëve tanë, por edhe ndaj atyre që nuk i kemi më, të luftojmë dhe fitojmë.

Dhe unë u garantoj se me punë, me vizion, me vendosmëri, me mbështetje mbarëshqiptare, me mbështetjen e miqve tanë, 11 maji do të jetë dita e fitores së thellë, fitores së madhe të opozitës shqiptare”, tha Kreu i PD.



Source link