Skandali/ Pirgjet me mbetje te QSUT, që duhet të asgjesohen brenda 5 ditëve, rrezikojnë të kthehen në vatër infeksioni

Përafërsisht 15% e mbetjeve të kujdesit shëndetësor vlerësohen të jenë të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë sëmundje ose lëndime. Mbetjet e kujdesit shëndetësor përmbajnë mikroorganizma potencialisht të dëmshëm që mund të infektojnë pacientët e spitalit, punonjësit e shëndetësisë dhe publikun. Rreziqe të tjera të mundshme mund të përfshijnë mikroorganizmat rezistente ndaj ilaçeve që përhapen nga institucionet shëndetësore në mjedis.

Në lidhje me këtë problematikë një sanitare e QSUT-së  ka në redaksinë e emisionit “Stop” se prej një muaji, nuk punon autoklava e për pasojë, mbetjet spitalore janë grumbulluar tek pajisja në një dhomë e jashtë saj, në të gjithë godinën duke krijuar një vatër infeksioni që rrezikon të përhapet.

Jo vetëm 180 sanitaret, që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me këtë bombë infeksioni, jo vetëm që rrezikojnë veten, por mund të kthehen lehtësisht në përhapëse të mikrobeve të rrezikshme.

“Jam punonjëse e QSUT-së. Problemi i madh tek ne janë mbetjet spitalore. I dorëzojmë plehrat në orën 7:00, në një dishezë prej 6 metrash, duhet të ngjitim dy koshat që të shkojmë. I biem nga rrumbullak për të shkuar deri tek morgu, atje vjen makina i merr e i hedh tek përpunuesi. Atje janë mbetjet spitalore që çohen në orën 10:00, tek autoklava. Autoklava është mbushur plot dhe nuk punon, ka një muaj rresht. Mbetjet kanë mbuluar dhomën komplet bashkë me autoklavën, kanë dalë përjashta dhe atje nuk vjen që t’i marrë asnjë njeri. Të hysh atje çuditesh, kurse ne vazhdojmë që të punojmë çdo ditë në atë vatër infeksioni. Jemi 180 punonjës. Nuk e dimë se çfarë problemi ka, nuk japin sqarime fare aty se çfarë ka. Nuk ankohemi dot se na heqin nga puna. Ka mbetje të operacioneve e të gjitha gjakrave. U kemi thënë dhe kanë frikë. Kërkojmë zgjidhjen e këtij problemi sepse na është shpifur puna”, thotë për mikrofonin e emisionit “Stop” denoncuesja.

“Stop” shkoi gjatë natës për të verifikuar situatën dhe pa që autoklava nuk punon. Kjo situatë është për disa ditë me radhë edhe pse ngjitur me autoklavën ka disa institucione, stomatologjia, gjimnazi “Eqerem Cabej”, si dhe shtëpitë mbështetëse. “Stop” komunikoi me drejtorin e shërbimeve mbështetëse në QSUT, Erion Ngjela, i cili e mohon situatën duke thënë se autoklava është në punë.

Gazetarja: Përshëndetje zoti Ngjela si jeni? Më bën përshtypje që prej një muaji është jashtë funskionit autoklava.

Erion Ngjela: Jo, autoklava është në punë!

Gazetarja: Ku është autoklava në punë?

Erion Ngjela: Është në punë autoklava.

Gazetarja: Po nëse është në punë autoklava, pse nuk digjen këto mbetje spitalore?

Erion Ngjela: Po jo ato nuk janë mbetje, që digjen në autoklavë! Janë të ndara mbetjet.

Gazetarja: Zotëri për këto mbetjet këtu po flasim. Pse nuk janë asgjësuar këto mbetje, të duket normale që të futen si kosh?

Erion Ngjela: Të lutem, bëj një kërkesë tek informacioni, që të kthej përgjigje zyrtare!

Por nga ana tjetër, përgjegjësja e këtij procesi  pranon që për funksionimin e autoklavës, nuk ka një kontratë.

Gazetarja: Përshëndetje, ju jeni përgjegjësja këtu?

Përgjegjësja: Jam e komanduar për momentin.

Gazetarja: Po mirë pse janë mbledhur gjithë ato mbetje aty?

Përgjegjësja: Sepse nuk kemi kontratë.

Gazetarja: Po mirë a është normale kjo?

Përgjegjësja: Autoklava punon thjesht…

Gazetarja: Kush është përgjegjësi për këtë?

Përgjegjësja: Ne nuk kemi kontratë. Janë procedurat ligjore do të lidhen procedurat, në momentin që do të vazhdojë kontrata do të vazhdojmë me marrjen e mbetjeve.

Në përgjigjen zyrtare, QSUT thotë, që autoklava është në punë, po bëhet kontrata e sipas një VKM-je, mbetjet mund të rrinë aty për 45 ditë. Përfaqësues të kompanisë “Loerma shpk” thonë se këto mbetje nuk duhen mbajtur as 5 ditë.

Shoqëria Loerma SHPK:Një nga pikat e ligjit shqiptar thotë dhe 45 ditë magazinimin e mbetjeve. Mua nuk më pyeti njeri, kur e bëri ligjin se po të pyeste, unë i them “o vlla, që ti këto lloj mbetjesh as 5 ditë nuk duhet t’i mbash, se janë burim infeksioni për mu”. Ti mund të bësh trajtimin e mbetjeve vetë, por duhet një kontratë përfundimtare, ku do t’i çosh. Sepse çdo trajtim i mbetjeve spitalore, krijon në mënyrën e vet procesin, ka një hi që ngel, dhe ky hi, e thjeshta fare mund ta çosh tek një nga këto inceneratorët, që ne kemi sot në Shqipëri.”

Nga ana tjetër nga kompania “Montal shpk”, shpjegojnë se ka mbaruar kontrata dhe nuk e kanë rinovuar, pasi nuk kanë interes.

Shoqëria Montal SHPK: Në dijeninë time, ne nuk kemi kontratë aktive për atë pajisje. Ne i kemi çuar një shkresë një shkresë spitalit, ta njoftonim që nuk do e mirëmbanim në të ardhmen. Nuk e di, a kanë bërë procedurë tjetër më pas, por ne nuk e kemi ndjekur se s’kemi pasur interes për të, sepse nuk e mirëmbajmë dot më. Ajo është një pajisje shumë e vjetër. Ka punuar këtu me kapacitet të plotë për gjithë kohën, që kur është vënë në punë!

Pasi emisioni “Stop” vuri në dijeni QSUT-në për mbetjet e rrezikshme spitalore, zbuloi se ato përveç autoklavës çohen tek onkologjiku.

Punonjësja e QSUT-së: Sa ka ardhur Stopi, na kanë dhënë urdhër të premte, të shtunë, të dielë t’i çojnë të gjitha plehrat tek Onkologjiku.

Gazetarja: Ka ndonjë ambient atje tek Onkologjiku, ndonjë fushë?

Punonjësja e QSUT-së: Jo fushë jo, brenda në ambientet është një sallë, brenda plehra, brenda. Në tualet ka dhoma në katin e parë.

Pas Onkologjikut, mbetjet shëtisin te Neurologjia gjë që dokumentohet me video.

Gazetarja: Doja të më jepte disa të dhëna për këto mbetjet spitalore.

Punonjësi i QSUT-së: Neurologjia”, futesh tek dera, do ecësh drejt, jo ajo dera përballë, se ajo është “Neurokirurgjia”. Neurologjia është te oborri. Ec, futu te oborri i madh atje!

Gazetarja: Aty është një godinë që është palestra.

Punonjësi i QSUT-së: Eh, palestra është bodrum.

Gazetarja: Kush pacientë të Neurologjisë vijnë aty?

Punonjësi i QSUT-së: Kanë pas ardh, se tani na i kanë marrë çelësat.

Në këto kushte emisioni “Stop” njoftoi policinë dhe në vend vijnë forca të Komisariatit numër 4 bashkë me ekspertin kriminalist, të cilët mbledhin provat dhe ia nisin prokurorisë.

Disa anëtarë të stafit të QSUT-së thirren në komisariat. Për eksperten e mjedisit Erdona Demiraj, mbetjet spitalore kërkojnë trajtim të veçantë, pasi ndikojnë jo vetëm në ambient, por edhe në organizmin tonë.

“Mbetjet spitalore paraqesin një rrezik për popullatën dhe kërkojnë një trajtim të veçantë. Këto mbetje paraqesin dy rreziqe të mëdha, e para është rreziku shëndetësor ku futet ekspozimi i personave që merren me mbetje, individë e sanitarë që i marrin, i transportojnë. Nëse rritet shkalla e ekspozimit të këtyre mbetjeve ne mund të kemi risk mjedisor, kundrejt ajrit, tokës, ujit apo dhe gjithë zinxhirit ushqimor. Duke filluar që tek insektet, brejtësit të cilët mund të ekspozojnë këto mbetje ndaj njeriut”, tha Erdona Demiraj.

Dy punonjëse të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza janë proceduar penalisht dhe po hetohen në gjendje të lirë pas denoncimit nga emisioni investigativ “Stop”.

Hetimi nisi pas referimit në Prokurori të rastit nga agjentët e krimeve në Komisariatin Nr.4, që pas denoncimit në emision, ushtruan kontrolle në ambientet e QSUT dhe gjetën qese me mbetje të rrezikshme spitalore jashtë kushteve të sigurisë.

Kështu, hetimi ka nisur për O.J. 33 vjeçe dhe M.H. 33 vjeç, të cilat janë administratorja dhe përgjegjësja në Sektorin e Monitorimit. Ato akuzohen për “menaxhimi i mbetjeve”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, për shtetaset O. J., 33 vjeçe dhe M. H., 33 vjeçe, me detyra respektive administratore dhe përgjegjëse në Sektorin e Monitorimit në një pavion në QSUT, sepse pas njoftimit nga gazetarët e emisionit investigativ “STOP”, se në ambientet e spitalit administroheshin mbetje të rrezikshme jashtë kushteve të sigurisë, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll dhe kanë gjetur disa qese me mbetje spitalore”, thuhet në njoftimin e Policisë Tiranë.

 

 

 

BURIMI I LAJMIT

#Skandali #Pirgjet #mbetje #QSUT #që #duhet #të #asgjesohen #brenda #ditëve #rrezikojnë #të #kthehen #në #vatër #infeksioni
#Skandali #Pirgjet #mbetje #QSUT #që #duhet #të #asgjesohen #brenda #ditëve #rrezikojnë #të #kthehen #në #vatër #infeksioni