
Bylisi pasi është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, duket se tashmë tërë forcat i ka përqendruar te kampionati. Mallakastriotët do të kenë një ndeshje delikate, por që është edhe vendimtare për mbijetesën në Superiore. Të dielën, në Ballsh luhet sfida me Skënderbeun e vendit të fundit, ndaj edhe synimi i vetëm është marrja e 3 pikëve në “Adush Muça”.
Ndaj menjëherë, pas sfidës në Rrogozhinë, tërë skuadra është rikthyer në Ballsh dhe ka vijuar grumbullimin. Skuadra ballshiote, në këtë takim pritet që të jetë e plotë, ndërsa trajneri Gentian Mezani, në Rrogozhinë, pati mundësi që të bënte edhe rrotacion në formacionin bazë. Me afrimet që janë realizuar në merkaton e janarit, te Bylisi është rritur konkurrenca dhe tashmë mallakastriotët kanë dy ekipe. Kjo u pa qartë edhe me ata që luajtën ndaj Egnatias në pjesën e parë, ku u vu re angazhimi maksimal dhe dëshira për ta fituar atë duel.
Ecuria e mirë në takimet e fundit dhe fakti që skuadra duket më e qetë edhe në aspektin psikologjik, kanë shfaqur stabilitet, jep shpresë te mallakastriotët, të cilët tashmë duan që të thyejnë me çdo kusht dhe rivalin e tyre, Skënderbeun. Dje ekipi ka mbërritur në fushën e stërvitjes dhe ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore, sidomos me ata lojtarë që e nisën nga fillimi, por edhe ata që u aktivizuan në pjesën e dytë. Ndërsa ata që nuk luajtën fare, morën ngarkesë të plotë.
TIFOZËT – Në Ballsh e kanë të qartë, se kjo sfidë do të thotë shumë në lidhje me objektivin sezonal, ndaj edhe klubi ka marrë të gjitha masat që skuadrës të mos i mungojë asgjë. Tifozët e Bylisit kanë qenë të pranishëm edhe në transferta këtë sezon, ndaj edhe pritet që ata të jenë të shumtë në duelin me korçarët në Ballsh.
“Ultras Bylinët” kanë nisur që të organizohen, ndërsa pritet që të ketë një pjesëmarrje të madhe në duelin e radhës në shtëpi, ku 3 pikët për Bylisin do të sillnin një hap të sigurt drejt mbijetesës. Kalendari i favorizon në këtë aspekt, sepse, fill pas korçarëve, e nisin fazën e katërt po në shtëpi me Teutën e Durrësit.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
