Edhe përskaj qëndrimeve të palëkundura të Sofjes lidhur me ndryshimet kushtetuese, kryeparlamentari Afrim Gashi vlerëson se me formimin e Qeverisë së re në Bullgari, pritet avancim në dialogun mes Shkupit dhe Sofjes për çështjet eurointegruese. Ndërkohë, BE-ja kritikon Maqedoninë e Veriut për abstenimin në rezolutën për Ukrainën
Ersan PAJAZITI
Shkup, 28 shkurt – Me formimin e qeverisë së re në Bullgari na hapen mundësitë për dialog dhe për të shtyrë përpara procesin euro-integrues të vendit, i cili për momentin është në vendnumëro, vlerëson krye-parlamentari Afrim Gashi. Sipas tij, edhe pjesëmarrja e komitetit të përzier parlamentar këto ditë jep një mundësi të shkëlqyer për dialog dhe për të dhënë argumentet pse Maqedonia e Veriut meriton të vazhdojë rrugën drejtë Bashkimit Evropian.
“Është një derë e hapur dhe mundësi e hapur. Po kërkojmë një mënyrë që ta sigurojmë procesin që edhe pas ndryshimeve kushtetuese mos të na ngritin veto apo çështje të tjera të ngritura që kanë të bëjnë me çështjet identitare që jemi të bindur të gjithë që do të jenë rëndë të zgjidhshme. Prandaj, besoj se me qeverinë që e ka Bullgaria tani më do të ketë një dialog të avancuar dhe së shpejti urojë që të kemi një zgjidhje të këtij procesi që sa më shpejtë të fillojë hapja e kapitujve”, theksoi kryeparlamentari Afrim Gashi.
Deklarime të tilla shpresë-dhënëse ka pasur edhe nga eksponentë të qeverisë, megjithatë qëndrimet e Sofjes zyrtare mbeten të pandryshuara. Nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të hapërojë drejtë BE-së, nevojitet ndryshimi i premabulës së Kushtetutës, në të cilën do të inkorporoheshin edhe bullgarët. Nga Sofja zyrtare disa herë kanë paralajmëruar vendin se korniza negociuese është e përcaktuar nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe si e tillë nevojitet të respektohet.
BE KRITIKON SHKUPIN PËR UKRAINËN: “VEPRIMET FLASIN MË SHUMË SE FJALËT”
Ndërkohë në fillimin e punës së këtij komiteti parlamentarë të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, erdhën kritikat e para ndaj vendit për abstenimin e rezolutës së propozuar nga BE për Ukrainën. Ambasadori polak në vend Mariush Brimore, i cili ishte si përfaqësues i vendit që udhëheq me BE-në. Ai përkujtoi Maqedoninë për vlerat evropiane.
“Vlerat dhe parimet kyçe evropiane janë thelbësore. Kjo është diçka që veçanërisht dua ta theksoj sot, veçanërisht në kontekstin e votimit në OKB dhe rezolutave në OKB, të cilat shkaktuan reagime nga ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së këtu. Veprimet flasin më shumë se fjalët” tha Brimora. Ndërsa, shefi I delegacionit të BE-së në Shkup Mihalis Rokas paralajmëroi vendin se duhet të mbetet e përkushtuar ndaj parimeve evropiane.
“Është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut t’i mbajë vlerat dhe parimet thelbësore të BE-së dhe ta tregojë këtë në mënyrë aktive në forumet multilaterale, duke përfshirë edhe kuadrin e OKB-së. Me këtë do të konfirmohet orientimi gjeostrategjik dhe përkushtimi ndaj rrugës evropiane, gjë që është gjithashtu në përputhje me anëtarësimin në NATO,” tha Rokas.
Nga ana tjetër ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski nuk pret që rezoluta në Kombet e Bashkuara për Ukrainën, e cila ka qenë e përgatitur nga SHBA-ja, bashkë-sponsor i së cilës ka qenë vendi, të sjellë pasoja për anëtarësimin tonë në BE. “Sinqerisht nuk e pres. Është fakt që aleatët ndonjëherë mund të mos bien dakord për disa çështje, por është fakt që një ditë pas kësaj rezolute, kur SHBA-ja dhe Franca ishin në anët e kundërta, presidenti Makron shkoi në Shtëpinë e Bardhë për të parë presidentin Tramp dhe tha se Franca dhe SHBA janë gjithmonë në anën e duhur të historisë. Fakti është se këto shtete anëtare, disa prej tyre, kanë mundur të votojnë kundër kësaj rezolute në Këshillin e Sigurimit, e disa prej tyre kanë mundur të vënë veton ndaj saj, por kanë vendosur që të mos e bëjnë këtë”, tha Mucusnki.
LIRIA E MEDIAVE NË FOKUS: EURODEPUTETËT KËRKOJNË GARANCI PËR GAZETARËT
Ndërkohë, në sesionin e dytë Komiteti i përzier parlamentar BE-RMV, diskutoi për një sërë dukurish, me theks të veçantë për lirinë e shprehjes, pavarësinë e mediave dhe forcimin e shoqërisë civile. Eurodeputetët vlerësuan se mediat dhe organizatat qytetare kanë një rol të madh në proceset demokratike dhe në promovimin e vlerave demokratike. Eurodeputeti Gordan Bosanac, në fjalimin e tij gjatë seancës, theksoi se nuk mund të ketë demokraci pa media të lira dhe pa shoqërinë civile. Sipas tij, është e nevojshme një kornizë politike që do t’i mbrojë gazetarët bazuar në ligjin evropian. Kjo mund të jetë një garanci për ekzistencën e lirisë së shprehjes.
“Një element i rëndësishëm i demokracisë nuk janë vetëm partitë dhe kuadri institucional. Nuk ka demokraci pa media të lira dhe pa shoqëri civile. Nëse një vend ka probleme me lirinë e mediave dhe shoqërinë civile, atëherë ai nuk duhet të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Problemi është se edhe në BE sot ka sfida në këtë fushë. Disa nga vendet tona anëtare përballen me këto sfida, por ne duhet të fokusohemi gjithmonë në këtë fushë. Jam i shqetësuar për shkak të një tendence të përgjithshme në Maqedoninë e Veriut që vjen nga SHBA-ja, e që është ndalimi i USAID-it”, tha Bosanac.
Deputetja nga Fronti Evropian, Arbana Pasholi, në lidhje me këtë temë, potencoi se liria e mediave është një proces që duhet përmirësuar vazhdimisht dhe se gazetarët duhet të kenë të gjitha liritë dhe të drejtat për të kryer punën e tyre me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri. “Ligji për mediat audiovizuale u miratua në qershor 2023, ndërsa në shkurt 2024 u bënë ndryshime në të njëjtin ligj, duke u futur transparencë, qasje demokratike dhe jodiskriminuese në zbatimin e fushatave shtetërore me natyrë edukative dhe informative. Në mars 2024 u miratuan ndryshimet në Ligjin për Mediat, duke mundësuar mbështetje financiare për shtypjen dhe shpërndarjen e mediave të shkruara. Ende ka sfida për mediat në vendin tonë, të cilat nuk u mundësojnë atyre të punojnë plotësisht të lira për shkak të ndikimit politik, kufizimeve financiare dhe besimit të publikut”, shtoi Pasholi.
Për tu siguruar funksionimi normal I mediave publike duhet që të miratohet një kornizë politike që do të mbrojë gazetarët në bazë të ligjeve evropiane, dhe vetëm kjo mund të garantojë lirinë e fjalës. “Ne duhet të sigurojmë funksionimin normal të mediave publike, të cilat janë transparente dhe të financuara nga fondet publike. Gjithashtu, duhet të kemi shoqata të pavarura gazetarësh. E dimë se ka media nën ndikim dhe se disa gjëra nuk transmetohen. Qytetarët duan që zëri i tyre të dëgjohet. Problemi në Parlamentin Evropian janë agjentët e huaj. Në Parlament kemi një komitet për mbrojtjen dixhitale, por ka faktorë ekonomikë që mund ta ndryshojnë tërësisht situatën, në varësi të interesave që përfaqësojnë, tha Arvanis.
Përndryshe, komiteti i Përzier Parlamentar BE-RMV është themeluar në vitin 2004 në bazë të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. Ai paraqet një forum ku anëtarët e Kuvendit të RMV-së dhe Parlamentit Evropian këmbejnë përvoja, mendime dhe qëndrime për përforcimin e partneritetit të ndërsjellë. Komiteti mblidhet dy herë në vit: një herë në Kuvendin e RMV-së dhe një herë në Parlamentin Evropian. (koha.mk)
The post Shkupi me sy nga Sofja! appeared first on KOHA.