
Postuar: Janar 15, 2025 | 0:00
Te Partizani problemet mes drejtorëve dhe trajnerit nuk janë diçka e re. Mesa duket në klubin e kuq ende nuk kanë krijuar një terren të përshtatshëm për të krijuar një bashkëpunim të sinqertë dhe të frytshëm, por ia kanë lënë vendin intrigave dhe mosmarrëveshjeve.
Nëse do të merrnim në konsideratë vitet e fundit, do ta nisnim që nga koha kur drejtor ishte Elton Marini dhe trajner Dritan Mehmeti. Kjo dyshe nuk arritën të bashkëpunonin gjatë dhe Mehmeti u shkarkua pas një miqësoreje të humbur kundër Bylisit në Pogradec.
SHEHI – Për të kapërcyer në vitin 2023, kur në skuadër erdhi trajneri Orges Shehi. Ky i fundit njihet për qetësinë dhe natyrën babaxhane të tij, por as ai nuk arriti të krijojë një marrëdhënie të frytshme me drejtorin Arbër Abilaliaj. Ishte ky i fundit që këmbënguli për ta sjellë, por në harkun e pak muajve nisën kontradiktat e para në lidhje me merkaton.
Gjatë verës së shkuar Shehi kërkoi lojtarë në disa role, por nuk iu plotësuan. Durrsaku në deklaratat e tij shprehej se pret lojtarë në disa role, por kjo nuk ndodhi. Skuadra nuk arriti objektivat në Europë dhe më pas kupola drejtuese e shkarkoi për të sjellë Veselinoviç, me të cilin duket se është ndërtuar e njëjta marrëdhënie me stafin drejtues të klubit.
ZEKIÇ – Duhet thënë se enigmë është edhe largimi i Zoran Zekiç. Ky i fundit firmosi me Osijekun në këmbim të 100 mijë eurove dhe justifikimi që i dha drejtuesve ishte problem shëndetësor i një familjari dhe nevoja për të qëndruar pranë familjes.
Por fakti është se Zekiç pas pak muajsh e la sërish familjen dhe kaloi në Bosnje, ku drejton ekipin e Sarajevos. Kjo krijon dyshime se kroati më shumë se për t’i qëndruar pranë skuadrës, ka dashur të largohet nga Partizani.
PANORAMASPORT.AL
