
Postuar: Mars 1, 2025 | 11:45
Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ishte një goditje e madhe për verdheblutë. Me kupën që iu iku nga duart pas dështimit tek penalltitë, Elbasani tani është i fokusuar tërësisht tek ndeshja me Partizanin, që është rivali direkt për vendin e katërt, por i shkëputur plot 9 pikë nga verdheblutë.
Për Elbasanin ka vetëm një alternativë nëse duan të mbajnë gjallë shpresën për “Final 4”, pikërisht të mundin Partizanin. Diferenca mes dy skuadrave është vërtet e madhe, por janë 10 ndeshje në lojë dhe në rast të një fitoreje, verdheblutë do të ngushtonin në gjashtë pikë.
Me një fazë ende për t’u luajtur dhe 27 pikë në lojë, çdo gjë është e mundur. Por, nëse Elbasani dështon sot, mbyll njëherë e mirë hesapet me Europën. Për këtë arsye, dueli me Partizanin vlen sa një sezon dhe në Elbasan nuk duan t’u ikë nga duart kjo mundësi, por do ta tentojnë deri në fund të jenë pjesë e “Final 4”.
Ndërkohë, nëse fitorja me Partizanin i mban gjallë shpresat për një vend në katërshe, një humbje ndaj tyre vë në rrezik mbijetesën e Elbasanit. Mjafton një humbje për të përmbysur gjithë situatën, prandaj dhe sot është një ndeshje shumë delikate.
PANORAMASPORT.AL
