Sali Berisha mbërrin në SPAK, mbështetësit e PD-së protestë para Prokurorisë së Posaçme


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në Prokurorinë e Posaçme për të zbatuar masën “detyrim paraqitje” të caktuar nga Apeli i GJKKO. Kryedemokrati mbërriti në Prokurorinë e Posaçme rreth orës 10:00 dhe u prit jashtë godinës nga mbështetetës dhe simpatizantë të tij.

Berisha hyri brenda ambienteteve të godinës së organit të akuzës pa bërë komente për mediat.

Kujtojmë se më 3 janar të këtij viti Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin riktheu masën e sigurimit personal “detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i marrë i pandehur nga SPAK për veprën penale të korrupsionit pasiv.

Berisha u lirua më 27 nëntor 2024 nga masa e arrestit shtëpiak me vendim të shkallës së parë, por kjo vendimmarrje u rrëzua më pasnga gjyqtari i Apelit, Engert Pëllumbi.

Ky i fundit e rrëzoi kërkesën e Berishës për shuarjen e masës së sigurimit me karakter shtrëngues “arresti në shtëpi” dhe e zëvendësoi me masën e sigurimit “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Gjykata e urdhëroi Berishën të paraqitet përpara oficeres së policisë gjyqësore, Adelajda Metaj në SPAK, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.

Ish-kryeministri Sali Berisha është marrë i pandehur me akuzën “korrupsion pasiv” nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dhe çështja ka shkuar në gjykatë për shqyrtim.

I pandehur për të njëjtën vepër penale është edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.



Source link