REKORD INTERVENIME NDAJ ZJARREVE! Viti 2024 u përmbyll me 975 intervenime

#image_title


“Viti i kaluar ishte shumë aktiv krahasuar me vitet paraprake, për arsye se kemi pasur një thatësi të madhe gjatë kohës së verës dhe kemi pasur zjarre. Gjatë tërë vitit 2024 kemi pasur gjithsej 975 intervenime, ose thënë më qartë, kemi pranuar 975 thirrje për intervenime në ndihmë të ndryshme”, thotë Avni Ameti, udhëheqës i njësisë së zjarrfikësve

Urim HASIPI

Tetovë, 2 janar – Statistikat e fundit tregojnë se viteve të fundit gjithnjë janë në rritje zjarret në rajonin e Pollogut. Viti i kaluar përfundoi me 975 intervenime të zjarrfikësve të Tetovës. Nga njësia e zjarrfikësve bëjnë të ditur se viteve të fundit – gjithnjë është në rritje numri i zjarreve në rajonin e Pollogut, pasi dukshëm janë rritur intervenimet krahasuar me periudhën e para dhjetë viteve.

“Viti i kaluar ishte shumë aktiv krahasuar me vitet paraprake, për arsye se kemi pasur një thatësi të madhe gjatë kohës së verës dhe kemi pasur zjarre. Gjatë tërë vitit 2024 kemi pasur gjithsej 975 intervenime, ose thënë më qartë, kemi pranuar 975 thirrje për intervenime në ndihmë të ndryshme”, thotë Avni Ameti, udhëheqës i njësisë së zjarrfikësve. Më tej, nga njësia e zjarrfikësve thonë se kanë dominuar zjarret në ambiente të hapura, por nuk kanë munguar edhe zjarret në objekte banimi apo objekte ndihmëse. Të paktën tre zjarre janë regjistruar brenda ditës, kurse ka pasur raste kur brenda një dite ka pasur edhe 5 zjarre, thonë nja njësia e zjarrfikësve të Tetovës.

“Në dhjetë vitet e fundit nuk kemi pasur kaq shumë zjarre apo intervenime dhe ky vit ka qenë shumë i lodhshëm sepse ka patur nga 5 thirrje brenda ditës për intervenime të ndryshme. Kanë dominuar zjarret në hapësirat e hapura, pakujdesia e qytetarëve duke hedhur cigare në barë të thatë dhe kjo ka krijuar zjarre në përmasa të mëdha”, theksoi Ameti.

Vitin e kaluar është bërë disperzimi i parë i njësisë së zjarrfikësve të Tetovës edhe atë me hapjen e një nënstacioni në Komunën e Zhelinës. Pritet që për këtë vit të hapen edhe dy nënstacione tjera për të lehtësuar punën e zjarrfikësve, por që të jenë më afër vendit të ngjarjes.

“Planifikojmë edhe në dy nënstacione që të përfshihet gjithë ky territor të cilin zjarrfikësit e Tetovës e mbulojnë sepse është një territor shumë i hapur dhe i gjerë dhe shpresojmë që të hapim këto nënstacione që të jemi më afër qytetarëve për çfarëdo ndihme që kanë nevojë. Lehtësohet shumë puna e zjarrfikësve me hapjen e këtyre dy nënstacioneve sepse dihet se çdo sekondë është e rëndësishme për zjarrfikësit që të arrijnë në kohë që ta kemi situatën në kontroll. Zjarrfikësit e Tetovës kanë nevojë për resurse njerëzore, po ashtu edhe pajisje moderne, sidomos në intervenime specifike”, sqaron Ameti.

Në ndërkohë, nga njësia e zjarrfikësve njoftojnë se vitin e kaluar krahas ndihmës nga UNDP-ja dhe Ambasada e Zvicrës po ashtu nuk kanë munguar ndihmat në pajisje edhe nga mërgimtarët. (koha.mk)



Source link