REFORMA NË ADMINISTRATË: Plane të mira, rezultate zero!


Vetëm një e katërta e të anketuarve (26%) u besojnë nëpunësve civilë, shumë më e ulët se mesatarja e Ballkanit Perëndimor (41%). I njëjti fenomen vërehet për Parlamentin (16% besim në Maqedoninë e Veriut dhe 25% në rajon) dhe gjykatat (15% besim në Maqedoninë e Veriut dhe 29% në rajon). Për rezultate më të mira të politikëbërjes, thuhet në Raport, nevojiten drejtim dhe koordinim më i fortë qendror dhe kontroll më i qëndrueshëm i cilësisë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 9 shkurt – Ngecje reformash, besim i ulët në disa nga institucionet kryesore të shtetit dhe te nëpunësit, ndërsa reformat kryesore ka kohë që janë në pritje. Gjithashtu, shërbimi publik dhe menaxhimi i burimeve njerëzore është fusha më e dobët, me boshllëqe të mëdha në kuadrin legjislativ dhe institucional për menaxhmentin e lartë dhe sistemin e pagave. Këto ndër të tjerash janë gjetjet e Raportit monitorues për administratën publike në Maqedoninë e Veriut për vitin e kaluar nga SIGMA (Mbështetje për Përmirësim në Qeverisje dhe Menaxhim), një nismë e përbashkët e OECD, apo Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar e Bashkimit Evropian. Objektivi i tij kryesor është të forcojë themelet për përmirësimin e qeverisjes publike, dhe në këtë mënyrë – të mbështesë zhvillimin socio-ekonomik përmes ndërtimit të kapaciteteve të sektorit publik, përmirësimit të qeverisjes horizontale dhe përmirësimit të hartimit dhe zbatimit të reformave të administratës publike, duke përfshirë prioritizimin e duhur, renditjen dhe buxhetimin e duhur.

SFIDAT KRYESORE

Raporti i fundit thekson se që nga viti 2021, Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të kufizuar në zbatimin e reformës së administratës publike. Sfidat kryesore vazhdojnë në shumicën e fushave të mbuluara në Parimet e Administratës Publike. Shërbimi publik dhe menaxhimi i burimeve njerëzore është fusha më e dobët, me boshllëqe të mëdha në kuadrin legjislativ dhe institucional për menaxhmentin e lartë dhe sistemin e pagave. Planifikimi strategjik i reformave dhe menaxhimi i financave publike (MFP) kanë prodhuar rezultatet më të mira, me parimet që lidhen me auditimin apo revizionin e jashtëm dhe prokurimin publik që tregojnë vlerat më të larta të treguesve për këtë vlerësim. Këto zona kanë shënuar gjithashtu përmirësime modeste që nga viti 2021.

Maqedonia e Veriut gjithashtu ka performuar pozitivisht në procedurat administrative dhe fushat e qeverisjes shumënivelëshe, me vlerën mesatare të treguesve që tejkalojnë mesataret rajonale. Në të kundërt, vendi ka shfaqur performancë relativisht më të dobët në të gjitha fushat e tjera, me vlerat e treguesve që bien nën mesataret rajonale.

Raporti thekson se faktorë të shumtë të brendshëm dhe të jashtëm po pengojnë progresin në zbatimin e reformave në fusha të ndryshme të administratës publike. “Ndryshimet e shpeshta në udhëheqjen e ministrisë përgjegjëse për reformat ndërmjet 2022 dhe 2024, me pesë ministra të ndryshëm që kryesojnë në vetëm dy vjet, kanë dobësuar ndoshta udhëheqjen qendrore dhe koordinimin e reformave, duke kontribuar në performancë relativisht të dobët gjatë periudhës së vlerësimit. Megjithatë, Qeveria e re (e formuar në qershor 2024) është angazhuar për reformimin e administratës publike. Në përbërjen e qeverisë së re, ministri të veçanta janë përgjegjëse veçanërisht për administratën publike, transformimin dixhital dhe çështjet e BE-së. Kjo mund të ofrojë shtysë për një rifillim të ri dhe avancim më të fuqishëm të agjendës së reformave në vend”, thuhet në raport.

Analiza thekson se Maqedonia e Veriut ka plane të mira reformash, por zbatimi dhe rezultatet kanë qenë të dobëta. “Në vitin 2023, vendi miratoi një Strategji të re për reformat, e cila së bashku me Programin e reformës së financave publike, themeloi një program gjithëpërfshirës për reforma që mbulon të gjitha fushat. Megjithatë, ritmi i zbatimit të reformave të planifikuara është ngadalësuar. Në fakt, në vitin 2023 ajo ra në shkallën më të ulët që nga viti 2020 (39%). Për më tepër, Qeveria mbështetet shumë në burime të huaja financimi për zbatimin e reformave, të cilat paraqesin rreziqe për qëndrueshmërinë. Vlerësohet se vetëm një e treta e reformave të RAP-së dhe MFP-së apo strategjitë e Planifikimit Strategjik të Reformave dhe menaxhimin e financave publike do të financohen nga burimet e brendshme, edhe pse RAP-së i është dhënë prioritet në dokumentet kryesore të planifikimit horizontal të qeverisë”, thuhet në raport, ndërsa shtohet nuk ka kulturë të promovimit dhe shpërblimit të qasjeve novatore në të gjithë administratën publike.

PËRDORIMI I PROCEDURAVE JO-STANDARDE

Besimi i qytetarëve në disa institucione kyçe shtetërore dhe te nëpunësit civilë është i ulët në Maqedoninë e Veriut, konkludon Raporti. Vetëm një e katërta e të anketuarve (26%) u besojnë nëpunësve civilë, shumë më e ulët se mesatarja e Ballkanit Perëndimor (41%). I njëjti fenomen vërehet për Parlamentin (16% besim në Maqedoninë e Veriut dhe 25% në rajon) dhe gjykatat (15% besim në Maqedoninë e Veriut dhe 29% në rajon). Për rezultate më të mira të politikëbërjes, thuhet në Raport, nevojiten drejtim dhe koordinim më i fortë qendror dhe kontroll më i qëndrueshëm i cilësisë.

“Nuk ka pasur përmirësime të rëndësishme në zhvillimin dhe koordinimin e politikave që nga viti 2021. Kontrollet kryesore procedurale dhe thelbësore, për shembull, rishikimet e dokumentacionit të politikave për plotësinë dhe koherencën, kontrollet mbi vlerësimet e ndikimit rregullator (VNR) dhe konsultimet publike – kryhen në mënyrë jokonsistente nga organet e qendrës së qeverisë . Megjithëse një kuadër i ri rregullator për planifikimin e politikave sektoriale u prezantua në vitin 2022, cilësia e përgjithshme e planifikimit dhe monitorimit të politikave qeveritare, duke përfshirë integrimin në BE, mbetet e dobët”.

Përdorimi i procedurave jo standarde (“të shkurtuara”) për miratimin e shumë ligjeve, vijon më tej Raporti, është ndër më të lartat në rajon. “Kjo praktikë paraqet më tej rreziqe të konsiderueshme në ligjbërjen e bazuar në prova, pasi kufizon kohën në dispozicion për përgatitje, analizë, shqyrtim parlamentar dhe debat. Për më tepër, rregulloret lejojnë miratimin e ligjeve të lidhura me BE-në përmes procedurave të shkurtuara, gjë që krijon rreziqe të mëdha për transpozimin dhe zbatimin efektiv të ligjit të BE-së”.

Ndërsa koordinimi Qeveri-Parlament për aktivitetet legjislative ka qenë i mirë, Raporti konstaton se një pjesë e konsiderueshme e ligjeve të sponsorizuara nga Qeveria të dorëzuara në Parlament nuk janë pjesë e planit legjislativ origjinal të Qeverisë.

“Atyre që dorëzohen shpesh u mungojnë dokumentet mbështetëse, duke e privuar legjislaturën nga provat e rëndësishme për shqyrtim dhe debat të informuar. Qasja në ligje është gjithashtu një çështje, pasi jo të gjitha legjislacionet parësore dhe dytësore në Maqedoninë e Veriut janë lirisht të aksesueshme në internet. Versionet e konsoliduara të ligjeve janë vërtet të përgatitura, por ato janë jozyrtare dhe kërkohet një tarifë për t’i aksesuar ato. Për më tepër, monitorimi i politikave dhe instrumentet e vlerësimit ex-post nuk janë krijuar dhe përdorur në mënyrë efektive në praktikë. Shumë ligjeve që paraqesin dispozita të reja rregullatore u mungon legjislacioni dytësor i nevojshëm kur të hyjnë në fuqi, duke krijuar boshllëqe në kuadrin rregullator dhe duke rrezikuar zbatimin e politikave”.

Reformat kryesore të menaxhimit të shërbimit publik janë ende në pritje, thotë SIGM, duke përfshirë krijimin e një menaxhmenti të lartë profesional dhe të qëndrueshëm dhe një sistem të ri pagash.

“Nuk ka pasur përmirësim thelbësor në shërbimin publik dhe menaxhimin e burimeve njerëzore që nga viti 2021. Maqedonia e Veriut është ende prapa të gjithë homologëve të saj në rajon, kryesisht për shkak të performancës shumë të ulët në menaxhimin e lartë profesional dhe, deri diku, për shkak se SIGMA nuk i janë ofruar të dhënat e nevojshme. Nismat e mëdha legjislative që janë në shqyrtim prej disa vitesh ende nuk janë miratuar. Shtrirja horizontale e shërbimit publik mbetet e fragmentuar, duke lejuar organe të caktuara administrative të mbeten jashtë fushëveprimit të legjislacionit të shërbimit publik pa arsyetim të arsyeshëm. Nuk ka konkurs të bazuar në merita për sekretarët e shtetit, drejtuesit e rangut më të lartë në ministri”.

SELEKSIONIMI I ADMINISTRATËS

Procesi i përzgjedhjes për nëpunësit civilë është krijuar zyrtarisht, por mbështetet në qasje të vjetruara (provime të bazuara në njohuri) dhe i mungojnë mjetet dhe teknikat moderne për vlerësimin e kompetencave të kandidatëve. Përzgjedhja, sipas Raportit, nuk është mjaft konkurrues sepse numri i aplikantëve është shumë i ulët dhe nuk janë ndërmarrë hapa për përmirësimin e kësaj situate. “Pagat nuk janë konkurruese, veçanërisht në nivelet e larta, duke dobësuar ndjeshëm shanset për të tërhequr dhe mbajtur talentin. Për më tepër, sistemi i pagave është i deformuar nga zgjidhjet e porositura për rritjen e pagave për punonjësit e organeve të caktuara.

Ndërsa organizata e administratës publike vazhdon të shfaqë dobësi të mëdha, rezultatet e procedurës administrative janë pozitive.

“Sfidat e mëdha në organizimin e administratës publike vazhdojnë, pasi qeveria nuk ka zbatuar riorganizimin e planifikuar. Një tipologji e organeve të qeverisjes qendrore nuk është krijuar qartë, dhe marrëdhëniet ndërmjet ministrive dhe organeve vartëse nuk kanë qartësi dhe mekanizma efektivë të llogaridhënies. Organizimi i brendshëm i ministrive mbetet fuqimisht i centralizuar, me një rol shumë të kufizuar për menaxherët, dhe menaxhimi i orientuar drejt rezultateve nuk ekziston. Ndryshe nga administratat e tjera në rajon, Maqedonia e Veriut nuk ka lëndë të mbetura të konsiderueshme. Legjislacioni rregullon në mënyrë gjithëpërfshirëse sistemin e integritetit, por ka mangësi në mbrojtjen e sinjalizuesve dhe në regjistrat e deklarimit të pasurisë dhe lobimit. Lidershipi më i fortë dhe drejtimi qendror nevojiten për të çuar përpara dixhitalizimin dhe ofrimin e shërbimeve në nivelin tjetër”.

Maqedonia e Veriut, thuhet në Raport, nuk ka shënuar ndonjë përmirësim të madh të ofrimit të shërbimeve në vitet e fundit. “Përgjegjësia e përgjithshme për drejtimin qendror dhe bashkërendimin e politikës së ofrimit të shërbimeve i është besuar Ministrisë së re të Transformimit Dixhital, e cila kërkon forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve. Nuk ka një politikë qendrore për thjeshtimin administrativ dhe reduktimin e barrës. Megjithëse një portal qendror për shërbimet administrative (Uslugi) është funksional dhe numri i përdoruesve është trefishuar në tre vitet e fundit, ai ende kap vetëm një pjesë të vogël të përdoruesve potencialë dhe shërbimet e ofruara ndjekin standarde të ndryshme”, thuhet në raport, ndërsa shton se aksesi në shërbimet administrative mbetet i pamjaftueshëm, me përmirësime të rëndësishme të nevojshme, veçanërisht për personat me nevoja të veçanta.

“Maqedonia e Veriut nuk ka një kornizë të fortë legjislative ose strategjike të politikave për të çuar përpara reformat e qeverisë dixhitale. Përdorimi i platformës së ndërveprueshmërisë është ende shumë modest dhe nuk ekzistojnë ende mundësitë bazë, si eID-ja universale falas për të gjithë qytetarët; koordinim i fortë, kritere të përbashkëta dhe një metodologji biznesi për miratimin e projekteve dixhitale, ose një qasje strategjike ndaj sigurisë kibernetike”. (koha.mk)



Source link