Qeveria ia mësyn edhe prokurorisë


Partia në pushtet VMRO përsëri e ftoi prokurorin e përgjithshëm Ljupço Kocevski të largohet, me arsyetimin se “nuk ka hapur asnjë rast kundër funksionarëve të dikurshëm të LSDM-së dhe BDI-së”. Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së Venko Filipçe duke komentuar këtë çështje, tha se Kocevski duhet të qëndrojë dhe qeveria të mos e partizojë Prokurorinë e Përgjithshme

Ersan PAJAZITI

Shkup, 13 shkurt – Pushteti gjyqësor vazhdon të jetë në fokus të pushtetit ekzekutiv dhe debateve mes partive politike. Qeveria dhe opozita me qëndrime të kundërta për sa i përket asaj se a duhet të shkarkohet prokurori i përgjithshëm, Ljupço Kocevski. “Ndryshimi i një prokurori dhe zëvendësimi i tij me një tjetër nuk është zgjidhje, por është partizim”, kështu ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili mendon se nuk është e drejtë të pranohet interpelacioni për prokurorin e përgjithshëm të Republikës, Ljupço Kocevski. Siç theksoi Filipçe, kjo nuk është pjesë e agjendës reformuese për sistemin e drejtësisë, e cila është zgjidhja e vetme për pavarësinë e saj.

“Mendoj se bëhet fjalë për partizim. Nuk dua të komentoj ekspertizën apo njohuritë e askujt, sidomos në pushtetin gjyqësor. Absolutisht, gjithçka që devijon nga agjenda e rritjes nuk është reformë. Zëvendësimi i disa njerëzve me të tjerë nuk është reformë, por një rrezik për partizim“, tha Filipçe.

Nga ana tjetër, partia në pushtet VMRO-DPMNE përsëriti se Prokuroria e Përgjithshme, e drejtuar nga Ljupço Kocevski, në vend që të dënojë krimin, mbron elitën politike të lidhur me LSDM-në dhe BDI-në. “Funksionimi i Kocevskit për më shumë se 8 muaj është shkatërrues. Kocevski për muaj me radhë ka mbrojtur funksionarët e dikurshëm të LSDM-së dhe BDI-së. Ljupço Kocevski për 8 muaj nuk ka ngritur asnjë akuzë. Ljupço Kocevski është plotësisht përgjegjës për mosveprimin dhe mosfunksionimin e prokurorëve nën drejtimin e tij. Ljupço Kocevski është përgjegjës për mbrojtjen e kriminelëve politikë nga LSDM dhe BDI”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE.

Ndërkaq, Qeveria e Maqedonisë së Veriut para dy ditësh mori vendim për fillimin e procedurës për shkarkimin e Kocevskit. Vendimin e ka marrë më 11 shkurt dhe afati ligjor prej 15 ditësh që Këshilli i Prokurorëve Publikë të shprehet për propozimin fillon nga dita kur ky propozim t’u dorëzohet nga Ministria e Drejtësisë. Arsyeja për këtë, sipas tyre, është zhgënjimi për veprimet jashtë kompetencave ligjore, duke theksuar se Kocevski ka emëruar një ushtrues detyre në Prokurorinë e Lartë të Posaçme në vend të Mustafa Hajrullahit i cili ishte pezulluar. Kryetarja e Këshillit, Dusica Dimitrieska, tha se do ta respektojnë afatin dhe do të deklarohen për propozimin e Qeverisë sapo ta marrin. Ajo po ashtu theksoi se zgjedhja e kreut është bërë unanimisht nga Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe se ka qenë procedurë ligjore.

Kocevski paraprakisht i është përgjigjur akuzave të qeverisë dhe VMRO-DPMNE-së duke thënë se gjithmonë ka vepruar në përputhje me ligjin. Ai pohon se kjo nuk është hera e parë dhe se ka qenë prioritet emërimi i një drejtuesi të Prokurorisë së Lartë Publike në Shkup, i cili do të ishte garant i punës profesionale të prokurorisë deri në përfundimin e procedurës disiplinore për prokurorin Hajrullahi. Kocevski është emëruar në pozitën e Prokurorit Publik të Shtetit një vit më parë, pas pensionimit të paraardhësit të tij, Ljubomir Jovevski. Ai ka edhe pesë vite të tjera mandat në këtë detyrë. (koha.mk)



Source link