
Ish-trajneri dhe ish-futbollisti i Besës, Përparim Daiu, nëpërmjet një statusi në faqen zyrtare në “Facebook”, ka shprehur keqardhje të thellë pas humbjes surprizuese të Besës nda Erzenit të vendit të fundit me rezultatin 2-3.
Sipas Daiut, ka ardhur koha që presidentit Bizhdili t’i kthejë sytë nga trajningu vendor.
STATUSI I PLOTË I PLOTË I DAIUT:
Pse humbe sot moj Besë, që preve në besë jo vetëm ata që derdhën djersë e gjak ndër vite për ty, por dhe ato që s’kanë lënë vend pa të parë, që nuk flenë gjumë kur ti mundesh, e janë në qiellin e shtatë kur t’i fiton. Ata që sot janë me pakicë, kur dje nuk i mbante stadiumi.
Ata që sot janë ne emigrim dhe mendjen e zemrën e kanë tek ti, Besa që i personifikoi në Shqipëri. I jepje krenari, ti Besë që nxirrje plot talente dhe që Kombëtaren e furnizoje si një fidanishte. Sot s’duhet ta bëje, pse?!
Sepse në dukje dhe sinqerisht mendoja dhe mendoj që është ekipi me futbollistë më të mirë se Vora e Vlora. Me gjithë këndveshtrimet e ndryshme që kam me presidentin Bizhdili, duhet të pranoj dhe më vinte mirë që ka bërë 1 skuadër konkurruese dhe mezi e prisja të ishte ky ekip që komandonte Kategorinë e Parë. Por ajo që më vret është mungesa e besimit kur financat dhe përberja e ekipit është e shëndoshë.
Asnjëherë nuk i është besuar trajningut vendor ku asesi nuk mund të pranoj që është inferior. Ashtu siç kanë qenë dhe futbollistë në arenën kombëtare, trajnerët kavajas, biles kushdo qoftë, e ndjen dhimbjen dhe përgjegjësinë më shumë se kushdo. Dhe në dështim jam i bindur që nuk i zë gjumi si Bizhdili, tifozët apo veteranët. Çdo klub në botë i ka ikonat e tij dhe që krenohet, dhe i kanë në krye të skuadrave të tyre plot krenari. Plot dashamirësi.
E përsëris me bonsens Bizhdilit ktheji sytë nga trajningu vendor, siç e thotë dhe një shprehje e urtë, i yti mishin e ha, por kockën e ruan. Me shpresë e besim që Besa s’ka çka humb me këtë rrëzim, por sa e fortë mund të ngrihet për të arritur atë që e meriton, Kategorinë Superiore. Me respekt Perparim Daiu.
PANORAMASPORT.AL
