Policia do të ketë një sistem dixhital të centralizuar për informacionin financiar


Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, do të ndërtojë një sistem të dixhitalizuar qendror për administrimin e informacionit financiar.

Ky zhvillim vjen si përgjigje ndaj sfidave që institucioni ka hasur në menaxhimin e të dhënave financiare dhe atyre operacionale.

Aktualisht, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përballet me një sërë problematikash serioze në administrimin e informacionit financiar. Mungesa e një sistemi të integruar ka shkaktuar dublikime të dhënash, gabime në regjistrime dhe varësi të lartë nga përdoruesi për menaxhimin e informacionit. Më shqetësuese është rreziku i humbjes së të dhënave financiare, në mungesë të një sistemi të digjitalizuar, qëndror.

Platforma e re digjitale parashikon një sistem plotësisht web-based (të bazuar në web), duke ofruar një ndërfaqe të vetme për të gjitha operacionet financiare. Veçanërisht inovativ është integrimi i teknologjive moderne si automatizimi inteligjent dhe sistemet e avancuara të raportimit.

Ky projekt synon të arrijë në standardizimin e mënyrës së të punuarit për rreth 100 institucione dhe departamente vartësie për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke i dhënë mundësinë e konsolidimit financiar dhe informacionit të qendërzuar.

Implementimi i këtij projekti përballet me sfida të konsiderueshme teknologjike. Integrimi i moduleve të ndryshme në një platformë të vetme kërkon një arkitekturë të sofistikuar softëare-i.

Një sfidë tjetër madhore është migrimi i të dhënave historike në sistemin e ri, duke ruajtur integritetin dhe saktësinë e informacionit. Gjithashtu, siguria kibernetike përbën një aspekt kritik, duke kërkuar implementimin e protokolleve të avancuara të mbrojtjes së të dhënave.

Projekti parashikon implementimin e një sistemi të centralizuar sipas protokolleve më të mira të sigurisë; integrimin në kohë reale me sistemin qendror të fiskalizimit; zhvillimin e një motori të avancuar raportimi me dashboard-e interaktive; automatizimi i proceseve financiare përmes workflow-ve inteligjente; konsolidimi financiar të të gjitha njësive me mundësi dinamike të organizimit të tyre

Një risi tjetër do të jetë integrimi i sistemit të fiskalizimit online, në përputhje me kërkesat më të fundit ligjore.

Përveç rritjes së sigurisë së të dhënave dhe efikasitetit operacional, sistemi do të lehtësojë proceset e vendimmarrjes. Automatizimi i proceseve do të çlirojë burime njerëzore, ndërsa raportimi i avancuar do të mundësojë analiza më të thella financiare.

Në përfundim të garës publike, projekti do të ndiqet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe do të realizohet nga kompania Communication Progress.

/Monitor





Source link