
Fitorja e fundit e Kastriotit në kampionat daton më 19 janar, ku në shtëpi mposhtnin Kukësin me penalltinë e shënuar nga Ajazi.Në katër sfidat pasuese krutanët kanë marrë 3 humbje dhe 1 barazim, gjë e cila ka sjellë zbritjen në vendin e shtatë. Duke u bazuar te kjo ecuri, ndeshja e së dielës me Pogradecin, që e luajnë në shtëpi, merr një rëndësi të veçantë për Kastriotin, nëse synon të kapë zonën “play off”.
Fitorja do të ishte e para edhe për trajnerin e ri Klevis Hima, i cili debutoi në pankinën krutanë në transfertën e fundit në Lushnjë. Suksesi ndaj pogradecarëve, që e kanë rival direkt për gjashtëshen e parë, bënë që Kastrioti ta parakalojë skuadrën liqenore në renditje.
Pogradeci do të ndeshet të dielën, ora 13:30, në stadiumin “Redi Maloku” me Kastriotin. Takimi parashikohet të jetë i vështirë, për vetë pretendimet që kanë liqenorët, por edhe kundërshtari.
Barazimi i arritur ndaj Apolonisë në shtëpi konsiderohet hap fals. Të besuarit e Memës humbën një mundësi “të artë”, jo vetëm për të konsoliduar veten në vendin e pestë, por dhe mundësi për t’iu afruar me pikë skuadrës matjane, që është e katërta në renditje. Tashmë barazimi me fierakët është lënë pas dhe e gjithë vëmendja është përqendruar te ndeshja e radhës ndaj krutanëve, që do të luhet në Fushë Krujë.
“Në përgjithësi, ecuria e skuadrës pogradecare ka qenë e mirë. Sigurisht, që ka vend për përmirësime. Ne do të vazhdojmë punën për të dhënë maksimumin deri në fund të kampionatit. Kastrioti? Ndeshje të lehta nuk ka, por ne udhëtojmë për të mos dalë pa pikë nga transferta e Krujës. Përfshira ndër gjashtë ekipet e para mbetet objektivi ynë kryesor për këtë sezon”, shprehet mes të tjerash 21-vjeçari Kostika Beçka, i afruar te skuadra liqenore në merkaton e verës së kaluar. Pas 23 javësh, liqenorët renditen të gjashtët në klasifikim me 32 pikë, dy më shumë se Kastrioti i vendit të shtatë. Në ndeshjen ndaj Kastriotit, për shkak kartonësh do të mungojë mbrojtësi Vilson Lila.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL
