
Postuar: Janar 1, 2025 | 23:28
Pas një eksperience të shkurtër në Kosovë dhe Skënderbeu, Kostika Beçka nga vera është pjesë e Pogradecit. Goli i shënuar ndaj Vorës, që është i pari për të me liqenorët, i dha skuadrës një pikë të çmuar që i mban në gjashtëshen e parë.
Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, 21-vjeçari u shpreh: “Ndeshja ndaj Vorës ishte e vështirë, por e kishim vlerësuar në të gjitha drejtimet skuadrën kundërshtare. Për mënyrën se si shkoi ndeshja, dhuroi emocione deri në minutën e fundit. Ne besuam deri në fund dhe u shpërblyem me goli e shënuar”. Sipas Beçkës, renditja e skuadrës në gjashtëshen e parë tregon se Pogradeci është brenda objektivit.
Më tej, ai shton: “Me renditjen e skuadrës në gjashtën e parë jemi brenda objektivit. Në përgjithësi kemi zhvilluar ndeshje të mira, por me pak kujdes duhet të ishim më lart në renditje. Shpresojmë që në ndeshjet në vazhdim të kemi një ecuri më të mirë”.
Për golin e shënuar, 21-vjeçari falënderon Zotin dhe në vazhdim premton gola të tjerë. “Pogradeci, nga ndeshje në ndeshje, është gjithnjë e në rritje dhe jam optimist për një ecuri më të mirë në 2025-ën. Goli i shënuar? Falënderoj Zotin, të tjerë do të prisni në vazhdim”. Pogradeci i ka mbyllur përgatitjet me seancën e djeshme.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL
