
“Inflacioni bazë i nxitur nga rritja e pagave është bërë shqetësimi kryesor. Inflacioni është rritur sërish, duke arritur në 4.9% në janar 2025 nga 2.2% në gusht 2024. Rrezik janë edhe investimet e ulëta publike, reformat e stagnuara, si dhe migrimi dhe rritja e pagave pa rritje të produktivitet”, thuhet në raportin e FMN-së, ndërsa si rrezik nga jashtë theksohen “ndryshimet në politikat tregtare, ulja e eksporteve dhe shtrëngimi i kushteve financiare”. Rritjen ekonomike për këtë vit, FMN e parashikon të arrijë në 3.3% në vitin 2025, përqindje kjo që mund të ulët nëse vazhdon trendi i migrimit të fuqisë punëtore
Evis HALILI
Shkup, 27 shkurt – Investimet e ulëta publike, reformat e ngadalta të produktivitetit, migrimi dhe rritja e pagave pa rritje të produktivitet janë rreziqet më të mëdha të brendshme të Maqedonisë së Veriut. Kështu mes tjerash thuhet në Raportin më të ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Maqedoninë e Veriut, ndërsa shton se inflacioni është rritur sërish, duke shkuar në 4.9% në janar 2025 – nga 2.2% sa ishte në gusht vitin e kaluar.
“Inflacioni bazë i nxitur nga rritja e pagave është bërë shqetësimi kryesor. Inflacioni është rritur sërish, duke arritur në 4.9% në janar 2025 nga 2.2% në gusht 2024. Rrezik janë edhe investimet e ulëta publike, reformat e stagnuara, si dhe migrimi dhe rritja e pagave pa rritje të produktivitet”, thuhet në raportin e FMN-së, ndërsa si rrezik nga jashtë theksohen “ndryshimet në politikat tregtare, ulja e eksporteve dhe shtrëngimi i kushteve financiare”. Rritjen ekonomike për këtë vit, FMN e parashikon të arrijë në 3.3% në vitin 2025, përqindje kjo që mund të ulët nëse vazhdon trendi i migrimit të fuqisë punëtore.
“Rritja ekonomike mund të arrijë në 3.3% e nxitur nga kërkesa e brendshme, investimet publike (Korridori 8 dhe 10D) dhe rritja reale e pagave. Kërkesa e dobët e jashtme, veçanërisht për shkak të ndryshimeve strukturore në sektorin evropian të automobilave, do të mbetet sfidë. Në afat të gjatë, migracioni i lartë mund të ulë rritjen potenciale ekonomike në 3.0%”, thuhet në raport.
FMN në Raport thotë se e mbështet synimin e Qeverisë për të ulur deficitin, por shpreh shqetësime se të ardhurat mund të mos realizohen sipas pritshmërive.
“Deficiti i parashikuar prej 4% të PBB-së në Buxhetin e vitit 2025 mund të tejkalohet nëse të ardhurat nga reduktimi i ekonomisë informale dhe përmirësimi i mbledhjes së taksave nuk arrijnë objektivat. Rekomandohet shmangia e rritjes së shpenzimeve dhe fokusimi në reduktimin e subvencioneve dhe shpenzimeve tatimore. Borxhi publik ka kaluar 60% të PBB-së, duke tejkaluar nivelet para pandemisë me 14 pikë përqindjeje”, thuhet në raport, ndërsa sugjerohet që edhe normat e interesit duhet të mbeten të pandryshuara derisa inflacioni të bjerë në mënyrë të qëndrueshme.
“Banka Qendrore duhet të jetë e gatshme për të shtrënguar më tej politikat nëse rreziqet inflacioniste materializohen. Sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm, me kapital të mjaftueshëm dhe norma të ulëta të kredive me probleme. Nëse kreditimi dhe çmimet e pasurive të paluajtshme vazhdojnë të rriten shpejt, mund të kërkohet shtrëngim i mëtejshëm i politikave makroprudenciale”, thotë FMN, ndërsa mbështet reformat për të rritur produktivitetin, të ardhurat dhe uljen e ekonomisë informale.
Në përmirësimin e mjedisit të biznesit, FMN sugjeron që të thjeshtohen procedurat për regjistrimin e bizneseve dhe të rritet dixhitalizimi i shërbimeve publike.
“Gjithashtu duhet forcuar tregu i punës, konkretisht të investohet në edukim dhe trajnim profesional për të përmirësuar përputhjen e aftësive me kërkesat e tregut. Të rriten investimet në infrastrukturë publike – të realizohen projekte të mëdha si Korridori 8 dhe 10D dhe Autostrada Kërçovë-Ohër, të cilat janë mbi buxhet dhe me vonesa. Gjithashtu, të përmirësohet sundimi i ligjit dhe luftën kundër korrupsionit – fuqizimi i institucioneve të pavarura dhe rritja e transparencës. Paralelisht të forcohet transparenca në menaxhimin e financave publike dhe ndërmarrjeve shtetërore”, rekomandon FMN, ndërsa vlerëson se reformat fiskale dhe strukturore janë thelbësore për rritjen ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë. “Ruajtja e disiplinës fiskale dhe monetare, përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe adresimi i sfidave të emigracionit janë kyçe për integrimin e vendit në BE”. (koha.mk)