PËR VAJZAT PAJA, PASURIA PËR DJEMTË! Traditat vazhdojnë edhe në sferën e pasurisë


Rreth traditës në fjalë, në një analizë të shoqatës të grave nga Dibra “Radika” thuhet se vajzat në familje, qoftë në qytet apo në fshatra, marrin shumë pak nga pasuria e prindërve. Sipas analizës në fjalë, ka një dukuri kur familjet që kanë një pasuri më të madhe, pjesë u japin njësoj si djemve edhe vajzave, por dukuria është e rrallë. Në këtë shoqatë potencojnë se në pjesën dërmuese të familjeve urbane dhe rurale, pasuria u takon vetëm meshkujve në familje

Vjollca SADIKU

Dibër, 25 shkurt – Dibranët, sikurse pjesa tjetër e rajoneve shqiptare në Maqedoni, edhe më tej me fanatizëm ruajnë traditat shekullore të familjes. Në sferën e traditave në sferën e pasurisë faktikisht traditat janë para ligjeve. Edhe pse Dibra është e njohur për shkollimin e fëmijëve pa marrë parasysh gjininë e tyre, megjithatë kur është në pyetje pasuria familjare, atëherë vazhdon të jetë prezent në pjesën më të madhe dukuria që meshkujve t’u ndahet pasuria, kurse me vajzat – prindërit e kalojnë më lehtë dhe atyre u japin vetëm pajën. Kjo traditë kohëve të fundit shpesh po debatohet nëpër familje, por edhe në shoqatat qytetare. Kohëve të fundit ka një dukuri që pasuria u ndahet edhe femrave, por kjo dukuri është e rrallë.

Rreth traditës në fjalë, në një analizë të shoqatës të grave nga Dibra “Radika” thuhet se vajzat në familje, qoftë në qytet apo në fshatra, marrin shumë pak nga pasuria e prindërve. Sipas analizës në fjalë, ka një dukuri kur familjet që kanë një pasuri më të madhe, pjesë u japin njësoj si djemve edhe vajzave, por dukuria është e rrallë. Në këtë shoqatë potencojnë se në pjesën dërmuese të familjeve urbane dhe rurale, pasuria u takon vetëm meshkujve në familje.

Shoqata potencon se bëhet fjalë për një traditë të lashtë të popullatës dibrane, por edhe rajoneve tjera ku kryesisht banojnë shqiptarë. Sipas traditës, vajzat marrin vetëm pajën e nusërisë, ku dekadave të fundit familja i blen dhomën e fjetjes, mobilimin e dhomës, si dhe një pjesë të veshjes. Me këto harxhime përfundon edhe obligimi i familjes ndaj vajzave. Nga ana tjetër, pasuria e prindërve që ka të bëjë me shtëpinë apo banesën, si dhe pasuritë të tjera të patundshme i jepen djalit apo kryhet një ndarje mes meshkujve të familjes.

Biseduam rreth kësaj tradite edhe me disa dibranë të moshuar, me qëllim që të marrim mendimin e tyre sa është në vend pasuria ti jepet vetëm djalit apo të ndahet mes djemve të familjes, duke anashkaluar kështu vajzat. Ramadan B. ka 84 vite dhe është një banor në një nga lagjet periferike të qytetit. Ai është një njohës i mirë i traditave dibrane. “Traditat dibrane janë të këtilla. Mendoj se është normale pasuria ti takojë djalit meqë prindërit siç jam unë – pleq, kalojnë vitet e pleqërisë me djemtë. Por kisha thënë se viteve të fundit në Dibër ka patur shumë raste kur familjarët kanë ndarë një pjesë të pasurisë edhe bijave të familjes, edhe pse janë të martuar. Para shumë dekadave vajzës gjatë dasmës së martesës i jepeshin vetëm disa veshje, kurse më vonë ata merrnin edhe një dhomë të fjetjes”, tregon Ramadani.

Rreth kësaj tradite biseduam edhe me Nazlie L., e cila po i jeton vitet e 70-ta. “Derisa ishte gjallë bashkëshorti, shpesh bisedonim për traditën në fjalë. Edhe ne si prindër pasurinë e ndamë mes dy djemve që kemi. Por meqë njëri djalë jeton në Amerikë e tjetri në Dibër, ai që është në Amerikë ia fali pjesën e tij vëllait të vogël me të cilin jetonim ne, e pas vdekjes së bashkëshortit tim jetoj vetëm unë. Vajzave meqë kishim dy, kur u martuan u dhamë pajën e nusërisë dhe dhoma të fjetjes”.

Në institucionet gjyqësore në Dibër thonë se ka raste kur edhe vajzat e familjes kërkojnë pjesë të pasurisë, por këta janë raste më të rralla. Po ashtu kur bëhet fjalë për këtë traditë, të shtojmë se në disa familje më të pasura, por jo vetëm tek ata, familjarët u ndajnë pasuri si djemve ashtu edhe bijave. Vet fakti që dibranët pa hamendje financojnë studimet të meshkujve dhe femrave njëlloj, por ka raste kur të avancuara janë femrat, tregon qartë se ngadalë edhe kjo traditë po tejkalohet.

Sabedin F. thotë se për të, pasuria duhet t’u ndahet njëlloj si djemve ashtu edhe vajzave. “Jetojmë në shekullin 21 dhe duhet të kuptojmë se edhe meshkujt edhe vajzat janë fëmijë, pa marrë parasysh cilës gjini i takojnë. Unë i trajtojë të gjithë fëmijët njëlloj, dhe besoj se ashtu duhet të jetë. Respekt të madh për traditat, por jo në këtë sferë. Kam shkolluar dy vajza dhe një djalë, dhe të tre kanë përfunduar me suksese fakultete. Do t’ua ndaj njëlloj të treve edhe pasurinë e patundshme”, shtoi ai. Kjo traditë nga viti në vit po tejkalohet, edhe pse ajo ndodh shumë ngadalë. Migrimi masiv, jeta dinamike, si dhe fuqizimi i femrës në mënyrë ekonomike, meqë një pjesë e madhe janë të punësuara, po ndikojnë edhe në këtë traditë, dhe fëmijët të bëhen të barabartë pa marrë parasysh gjininë e tyre, thonë përfaqësues të shoqatave qytetare. (koha.mk)



Source link