Për 10 vite, 144 viktima në aksidente trafiku


Nga policia e Tetovës kanë bërë të ditur se prej 144 viktimave, gjithsej 34 ishin këmbësorë, respektivisht 22 në Tetovë dhe 12 në Gostivar. Ndërkaq, autostrada Shkup-Tetovë-Gostivar mbetet një nga akset rrugore më të rrezikshme ku kanë ndodhur aksidentet me pasoja fatale

Urim HASIPI

Tetovë, 26 shkurt – Viti 2016 llogaritet të jetë viti më tragjik për sa i përket humbjes së jetëve në aksidente trafiku në rajonin e Pollogut. Para nëntë vitesh, në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit në aksidente trafiku jetën e humbën 25 persona, prej tyre 13 në Tetovë, ndërsa 12 në Gostivar. Në këto aksidente pësuan edhe tre këmbësorë, dy në Tetovë – respektivisht një në Gostivar. Kështu bëjnë të ditur të dhënat e Sektorit për Punë të Brendshme, prej nga thonë se viti me më pak viktima ishte viti 2023 me vetëm 4 viktima, edhe atë një në Tetovë dhe tre në Gostivar.

Brenda dhjetë viteve, në Pollog – gjegjësisht nga viti 2014 deri në vitin 2024, si pasojë e aksidenteve të rënda jetën e humbën 144 viktima, ose mesatarisht 14 viktima çdo vit. Brenda një dekade në Tetovë, jetën e humbën 81 persona në aksidente të trafikut, ndërsa 63 në Gostivar. Nga policia e Tetovës kanë bërë të ditur se prej 144 viktimave, gjithsej 34 ishin këmbësorë, respektivisht 22 në Tetovë dhe 12 në Gostivar. Ndërkaq, autostrada Shkup-Tetovë-Gostivar mbetet një nga akset rrugore më të rrezikshme ku kanë ndodhur aksidentet me pasoja fatale.

“Pika më kritike ku kanë ndodhur këto aksidente janë, autostrada Tetovë-Gostivar dhe Tetovë-Shkup, por edhe rrugët e qytetit kanë qenë fatale për këmbësorët pasi që shpesh herë këmbësorët kalojnë rrugën edhe në vende ku nuk është lejuar kalimi”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Nga policia e Tetovës apelojnë deri tek vozitësit dhe këmbësorët që të jenë më të kujdesshëm.

“Pjesëtarët e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë për çdo ditë ndërmarrin masa ndaj vozitësve që nuk respektojnë rregullat në komunikacion. Poashtu ndërmerren masa edhe ndaj vozitësve që nuk japin përparësi kalimi për këmbësorët. Ndërkaq, dënime shqiptohen edhe ndaj këmbësorëve që kalojnë rrugën vend e pa vend. Apelojmë deri tek qytetarët që në maksimum të respektojnë të gjitha rregullat dhe rregulloret në komunikacion”, deklaroi zëdhënësi Rexhepi.

Sipas statistikave të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, në vitin 2014 jetën e humbën 11 persona në aksidente trafiku. Vitin 2015, kishte një viktimë më shumë se vitin paraprak, respektivisht 12 viktima. Viti 2016 do të mbahet mend për numrin më të lartë të viktimave në komunikacion, gjegjësisht 25 viktima, ose dyfishi I vitit paraprak. Viti 2017 përfundoi me 9 viktima, ndërsa në vitin 2018 kishte 13 viktima. Një vit më vonë, pra në vitin 2019 në aksident trafiku jetën e humbën 14 viktima. Viti 2020 përfundoi me 13 viktima, ndërsa viti 2021 ishte fatal për 11 pjesëmarrës në komunikacion. Ndërkohë, në vitin 2022 jetën e humbën në aksidente trafiku 14 persona, kurse një vit më pas kishte vetëm 4 viktima. Por, kjo nuk zgjati shumë, pasi që vitin e kaluar u shënuan 18 viktima në rrugët e Pollogut si pasojë e aksidenteve të trafikut.



Source link