
Edhe pse në disa vende ka shporta për mbeturina, të njëjtat janë zakonisht të zbrazëta kurse rreth e rrotull tyre vërehen letra dhe mbeturina të ndryshme. Nuk mungon edhe dukuria e dëmtimit të shportave nga persona të pandërgjegjshëm
Urim HASIPI
Tetovë, 6 shkurt – Pastërtia ose higjiena publike vazhdon të jetë një problem që me dekada nuk po gjen zgjidhje. Në mungesë të një angazhimi më të madh të institucioneve përgjegjëse dhe mungesa e një vetëdije më të lartë për pastërtinë publike, kanë bërë që qyteti gjithandej të jetë më mbeturina të vogla. Letra, mbetje të ushqimeve dhe qese plastike në trotuare është pamja që haset në çdo skaj të Tetovës. Qytetarët shprehen se përveç ndërmarrjes komunale publike, edhe vet njerëzit duhet të jenë më shumë të kujdesshëm ndaj mirëmbajtjes së higjienës publike. Por, qytetarët kanë shprehur shqetësimet e tyre edhe me mungesën e shportave të vogla për hedhjen e mbeturinave.
Sipas tyre, duhet edhe në shumë vende të qytetit të vendosen shporta për hedhurina, ndërsa mirëmbajtja duhet të jetë në nivel më të lartë.
“Nuk ka pastërti, sepse gjithçka hidhet në rrugë, në trotuare. Pak kanë faj ata që duhet të kujdesen për këtë pastërti, pak duhet të vet qytetarët që mos hedhin gjithandej dhe mund të kemi një qytet të pastër. Në disa vende edhe mungojnë shporta, por edhe aty ku ka – nuk hidhen mbeturinat, por hidhen poshtë shportave”, thotë një banor i Tetovës.
Nga ana tjetër, edhe pse në disa vende ka shporta për mbeturina, të njëjtat janë zakonisht të zbrazëta kurse rreth e rrotull tyre vërehen letra dhe mbeturina të ndryshme. Nuk mungon edhe dukuria e dëmtimit të shportave nga persona të pandërgjegjshëm. Kjo dukuri haset edhe me kontejnerët e mëdhenj për mbeturinat e amvisërive. Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë shprehen se janë rreth 40 punëtorë, të cilët kujdesen për pastërtinë publike në qytetin e Tetovës. Dy herë brenda ditës me dy ndërrime – këta punëtorë kujdesen që të kemi një qytet më të pastër dhe Tetova të ketë një imazh më të mirë në aspektin e pastërtisë publike. Drejtuesit e ndërmarrjes premtojnë edhe larjen e rrugëve me përmirësimin e kushteve klimatike, si dhe shtimin e numrit të shportave.
“Për planin që e kemi për këtë vit, për mirëmbajtjen e pastërtisë publike do na duhen edhe 10 punëtorë shtesë. Kemi një vetëdijesim më të mirë se sa në të kaluarën, sepse qytetarët kanë filluar të bëjnë pastrimin e hapësirave para shtëpive ose objekteve të tyre të banimit. Shoh se ka një përmirësim, por na duhet ende punë, duhet të vendosen më shumë shporta. Përveç kësaj, planifikojmë edhe larjen e rrugëve por pasi që të përmirësohet koha”, deklaroi Samet Bislimi, drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë thonë se duhet të ketë më shumë aksione për pastrimin e qytetit nga mbeturinat me nxënës të shkollave të mesme dhe me shoqata joqeveritare. Por, deri më tani, edhe pse është miratuar një ligj për pastërtinë publike ku parashihen dënime nëse qytetarët hasen duke hedhur letra në hapësira publike, megjithatë nuk është shqiptuar asnjë dënim. (koha.mk)