Partizani u dobësua, por rëndon emri! Dinamo ka një avantazh në derbi (E PLOTË)


Të shtunën Partizani dhe Dinamo sfidojnë njëra-tjetrën në një ndeshje që tregon shumë gjëra dhe është përcaktuese për kreun. bakajNjë nga ish-lojtarët më të spikatur, që ka provuar të veshë të dyja fanellat, është Elis Bakaj. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi analizon dy skuadrat. Sipas tij, Dinamo ka më shumë eksperiencë, por derbet janë gjithnjë 50-50. Sulmuesi nuk heziton të evidentojë edhe problemet dhe mënyrën sesi funksionojnë klubet tona.

Elis, të shtunën Partizani dhe Dinamo sfidojnë njëra-tjetrën, cila është favoritja e këtij derbi?

Derbi është gjithnjë 50-50, nuk ka rëndësi se cili ekip është më në formë, por ai që tregon më shumë kujdes dhe bën më pak gabime. Nuk di të them kush është favorit, sepse kam luajtur shumë derbe dhe ka pasur ndeshje kur skuadra ime ka qenë më në formë dhe është mposhtur ose e kundërta. Nuk ka favoritë, pavarësisht kualifikimit.

Po sa i përket organikave? Si i shihni këto dy skuadra?

Si eksperiencë, Dinamon e shoh më të prirur drejt kësaj. Partizani është më së shumti me djem të rinj të talentuar dhe cilësorë, që nuk e kanë eksperiencën e atyre të Dinamos, por kanë entuziazmin dhe etjen për tu afirmuar dhe për tu rritur. Sa i përket lojtarëve që mund ta zgjidhin këtë ndeshje, të them të drejtën nuk shoh ndonjë sulmues të spikatur. Nuk ka më si përpara.

Sa mendoni se do të ndikojnë “firot” te Partizani? Do të vështirësohet misioni për titullin kampion?

Sigurisht që po, sepse kanë qenë lojtarë bazë. Katër lojtarë ndihen shumë, janë thuajse gjysma e ekipit, aq më tepër që kanë qenë lojtarë kryesorë. Di që kanë marrë një lojtar nga Bjellorusia (Podstrelov), të cilin unë e njoh, është lojtar i mirë, i shpejtë dhe cilësor. Por lojtarët e rinj që vijnë, kërkojnë kohë ambientimi dhe përshtatjeje. Ata mund të ecin mirë që në fillim, por edhe mund të mos ecin. Mungesa e të larguarve padyshim do të ndikojë. Nëse e analizojmë në këtë aspekt, Dinamo mund të jetë më e  avantazhuar. Por derbi është derbi, nuk i dihet asnjëherë.

Ka ndryshuar rregulli i të huajve në fushë dhe merkatoja është spostuar jashtë vendit. Si ju duken afrimet e klubeve shqiptare?

Unë nuk jam dakord me rregullin e rritjes së numrit të të huajve në fushë, sepse mendoj se duhet t’i japim sa më shumë përparësi lojtarëve të akademive. Ne duhet t’i japim dorën lojtarëve tanë, sepse fundja me ata lojtarë do të furnizohet kombëtarja dhe i gjithë futbolli shqiptar. Sa i përket cilësisë së lojtarëve, ti mund ta marrësh një futbollist të mirë, por ai do rrogë të konsiderueshme, buxhet të lartë. Ne i dimë pak a shumë sesa janë rrogat në futbollin shqiptar. Sa më i mirë të jetë lojtari, aq më të larta do t’i kërkojë kushtet e kontratës.

Cilat skuadra ju duken si më pretendentet për titullin kampion?

Dinamo është aty. Egnatia gjithashtu. Edhe Partizani. Vllazninë gjithashtu e shoh aty lart. Këto janë ekipet, pavarësisht se te Partizani kam dyshime me ikjen e këtyre lojtarëve, sepse kanë qenë shumë të rëndësishëm për skuadrën. Nuk ka kohë që t’i zëvendësojnë. Por kam besim se të kuqtë do të jenë aty deri në fund, sepse kanë emrin, tifozerinë, fanellën.

Si ju duket bashkëpunimi mes Ilir Dajës dhe Dinamos?

Ilir Daja është trajner me eksperiencë dhe ka vërtetuar se në çfarëdo vendi ku ka shkuar, ka bërë mirë. Por sigurisht që Daja nuk shkon në ekipe pa buxhet. Nuk duhet ta harrojmë këtë. Në momentin që sheh se një ekip nuk ka buxhet, ai nuk e merr mundimin. Dhe kur firmos, merr edhe lojtarët më të mirë pas vetes. Pa dashur t’i ul aspak vlerat e tij si trajner, sepse ai e ka dëshmuar tashmë. Por ka buxhetin, ekipin dhe të gjitha gjërat që ta bëjë punën rehat. Efekti ndihet, sepse e keni parë Dinamon vjet dhe e shihni sivjet.

Nga ana tjetër, trajneri i Partizanit u ankua për bashkëpunimin në merkato. Sa e vështirë është që një klub të ecë mbarë mes këtyre marrëdhënieve?

Trajneri që në fillim duhej të kishte vënë pikat mbi “i”. Duhet t’i kishte ndarë punët që në momentin që firmosi kontratën. Jo të fillojë të ankohet pas 3-4 muajve se kjo apo ajo nuk më pëlqen. Kur firmos kontratën, ndan pikat me presidentin dhe kërkon që lojtarët të vijnë me miratimin tim. Nëse nuk ndodh kjo, mund të mos firmosësh fare. Prandaj bëhen bisedimet dhe më pas kontratat, që të ndahen këto gjëra. Tani trajneri serb të mos vijë të ankohet pas 3-4 muajve, kur mund të mos ketë bërë fare këto muhabete në fillim.

Pastaj ja bëjnë të tjerët ekipin, drejtori, miqtë e presidentit, shoku i këtij apo atij. Japin mendime se ky është i mirë, ky nuk bën e me radhë. Se kështu funksionon në Shqipëri, duam apo nuk duam, kështu është. Pastaj ndodh që lojtarët shqiptarë kur janë në Superiore nuk i vlerësojnë dhe e bëjnë këtë të tjerët jashtë. Përse? Sepse ndodhin këto gjërat me shokët e presidentëve. Ai mund të jetë biznesmen apo murator dhe i merret mendim për futbollistët.

Kjo është situata që ndodh me shumë nga klubet shqiptare. Çdo ekip në botë i ka të ndara këto gjëra. Çohet tani trajneri serb dhe thotë se nuk e dua këtë lojtar. Ai të ndihet falënderues që ka ardhur këtu, sepse asnjë trajner shqiptar nuk do të shkojë ndonjëherë të drejtojë në Serbi.

Si e shihni gjendjen e Tiranës? Çfarë mund të arrijë?

Tirana, nëse shpëton këtë vit, do të jetë gjëja më e mirë. Kjo është situata e Tiranës. Ka shumë probleme. Hiqet trajneri, vjen një tjetër. Ikën ky dhe vjen ai që ishte. Në momentin që nis të bëhen të tilla ndërrime, ka probleme pastaj. Trajneri dhe lojtarët nuk kanë kohë të ambientohen me njëri-tjetrin. Nuk e kuptoj situatën, por është gjynah, sepse Tirana ka traditën, tifozerinë dhe të gjitha.

Përse Shqipëria po kthehet në një treg të pëlqyer për Ukrainën, çfarë po ndodh?

E para punës, në këtë moment në Ukrainë nuk zgjedhin të shkojnë shumë lojtarë për faktin e luftës dhe situatës atje. Por në realitet lufta nuk është siç tregohet në televizion, këtë ta garantoj, sepse kam shokë që e kanë përjetuar. I kam marrë me familjen në Bukuresht për t’i ndihmuar kur filloi atëherë. Është shumë më ndryshe. Sigurisht që ka probleme, por nuk është siç e bën media.

E dyta, ata duan lojtarë me karakter dhe shqiptarët janë futbollistë që ulin kokën, nuk kërkojnë shumë kushte, e pranojnë dhe mund të rrezikojnë. Për shembull, rumunë nuk çon dot në Ukrainë. E kam provuar unë, me rroga shumë më të larta dhe nuk i çon dot. Kurse shqiptarët i dërgon, sepse ne e kemi karakterin e fortë, mentalitetin. Edhe ukrainasit duan lojtarë “të egër” dhe me sedër. Këto janë arsyet, mendoj unë.

Duket sikur jeni shkëputur pak nga futbolli shqiptar, mund të ketë një rikthim në një rol ndryshe?

Jam shkëputur, siç e dini jam sistemuar në Rumani, kam ndërtuar jetën. Kam bërë kurset e drejtorit dhe licencën A të trajnerit. Kam disa biznese në Rumani, po merrem edhe me menaxhim të futbollistëve, pavarësisht se nuk është se e reklamoj këtë pjesën, të nxjerr foton e të tjera. Sa i përket rikthimit, nuk i dihet asnjëherë, futbolli i tillë është. Unë dua ta ndihmoj vendin tim, sepse jam krenar që jam shqiptar. Nëse do të paraqitej ndonjë projekt i mirë, që do të më leverdiste dhe nuk do të kishte ato gjërat që folëm më parë, përse jo.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link