
Erbim Fagu ka drejtuar Tiranën në sezonin e kaluar dhe e di mirë situatën brenda klubit bardheblu. Ish-futbollisti e trajneri i kryeqytetasve, e pranon hapur se i frikësohet një rënie të mundshme të skuadrës së zemrës, teksa analizon këtë të fundit në një intervistë për “Sport News” në “News 24”.
Në bashkëbisedimin e tij me moderatoren Trevisa Tufa, Fagu bën të qartë se e sheh si lëvizje të gabuar ndërrimin e trajnerëve të bardheblutë, pasi mendon se Shkëmbit i duhej besuar në momentet e krizës dhe jo të bëhej kjo rokadë e dyfishtë me Maganin. Ndërkohë, ai tregoi edhe ata që sheh si skuadrat më të favorizuara për titullin kampion në këtë edicion.
Fagu, e prisje që Tirana të vinte në këtë pikë, të luftojë për mbijetesë?
Unë kam deklaruar nga fillimi i sezonit se Tirana këtë vit e kishte vitin zero, pasi nisi gjithçka nga fillimi. Filloi gjithçka me lojtarë të rinj, krijoi një ekip krejtësisht të ri. Kjo punë ka rrisk për vazhdimësinë e skuadrës. Problemi është se Tirana është mësuar të jetë në majë të kampionatit, padyshim që për këtë duhen lojtarë me përvojë. Tirana u mundua të krijojë një ekip me lojtarë të ri dhe të etur, por jo çdokush mund të luajë me Tiranën. Tirana ka patur përherë futbollistë me peshë.
Ju e njihni mirë si ambient, u larguat në fund të sezonit të shkuar. Çfarë nuk po shkon si duhet te Tirana, çfarë po bëjnë gabim?
Nuk mund të them për gabim. Unë kam luajtur te Tirana dhe lojtar i ri kam qenë. Problemi është se sa arrijnë këta që të krijojnë impakt dhe sa arrijnë që të mbajnë presionin e tifozëve…
Shkarkuan pak muaj më parë Bledi Shkëmbin, me trajnerin që i kërkoi më shumë kohë, por vendosën ta rikthejnë sërish. A janë normale këto lëvizje, si ndikon te grupi?
Kjo nuk është normale aspak, të paktën nga ana profesionale. Shkëmbi nuk duhej hequr, pavarësisht rezultateve që nuk ishin të duhura. Ai e njihte skuadrën. Në situatën që Tirana ndodhet, kjo ishte një zgjidhje e mirë, por sërish duhet të presim për të parë fundin.
Më thuaj të vërtetë, a rrezikon Tirana të bjerë nga kategoria? A i druhesh një përfundimi të tillë?
Sigurisht që ia kam frikën. Uroj që mos të bjerë nga kategoria, pasi nuk ia uroj kurrë Tiranës që të luajë një kategori më poshtë. Shpresoj që me Shkëmbin të lëvizin disa gjëra.
Ndryshe nga Tirana, dy ekipet e tjera të kryeqytetit, Dinamo dhe Partizani, kryesojnë me pikë të barabarta. Si e sheh këtë rivalitet, kë sheh më lart këtë sezon?
Dinamo më e avantazhuar se Partizani. Po të shikosh stolin e dinamovitëve, ka emra që mund t’i fusësh në formacion. Partizani është dobësuar goxha me ikjen e disa lojtarëve.
Vllaznia dhe Egnatia kompletojnë katërshen e parë, ke sheh si favorit për të fituar titullin këtë sezon?
Final Four ka një specifikë, nuk mund të hamendësojmë tani se kush mund ta marrë kampionatin. Skuadrat janë të forta. Vështirë të parashikojmë. Unë jam ndërmjet Dinamos dhe Egnatias.
Fagu, do riktheheshe sërish në Superiore? Ke pasur ndonjë kontakt këtë periudhë?
Nuk më duket momenti i përshtatshëm. Po mendoj që të filloj këtu një karrierë trajningu, nuk e mendoj fare. Shpresoj të bëj karrierë këtej. Pastaj, duke parë duke bërë.
PANORAMASPORT.AL
