
“Mbi 60 për qind e martesave përfshijnë vajza minorene, dhe këto martesa janë të përhapura mes të gjitha bashkësive etnike të rajonit”, thuhet në hulumtimit e shoqatave që kanë trajtuar këtë problematikë, ndërsa potencohet se martesat e hershme shpesh rezultojnë me divorce, probleme shëndetësore dhe pasoja të tjera sociale dhe ekonomike
Vjollca SADIKU
Dibër, 13 janar – Në Dibër dhe rajonin më të gjerë, edhe më tej ka martesa mes minorenëve. Janë martesa mes të rinjve nën moshën 18-vjeç. Të dhënat e administratës së Gjykatës Themelore në Dibër pohojnë se nga numri i përgjithshëm i martesave mes minorenëve, dominojnë femrat minorene. Dukuria në fjalë është prezent me dekada, dhe megjithëse viteve të fundit ka një rënie, kjo dukuri assesi të zhduket. Kryetari i Gjykatës Themelore në Dibër, Mersim Marku, tregon se gjatë periudhës 2020-2024 janë miratuar gjithsej 35 leje për martesë mes të miturve, me shpërndarjen vjetore si vijon: 9 leje në vitin 2020, 10 në vitin 2021, 7 në vitin 2022, 4 në vitin 2023 dhe 5 në vitin 2024.
Shumica dërrmuese e këtyre rasteve përfshijnë vajza minorene, ndërsa procesi i miratimit është mbështetur nga dokumente të paraqitura nga institucionet shëndetësore dhe sociale, siç kërkohet nga ligjet në Maqedoninë e Veriut. Paraprakisht merren edhe dokumentet e nevojshme edhe nga institucionet shëndetësore, thonë në Gjykatën Themelore.
Sipas Markut, lejet për martesat mes të miturve janë miratuar në përputhje me kërkesat e paraqitura si nga banorët e qytetit të Dibrës, ashtu edhe nga fshatrat përreth dhe komuna rurale Qendër Zhupë. Kjo e fundit, para ndarjes territoriale të fundit, ishte pjesë e Komunës së Dibrës, duke reflektuar shtrirjen e praktikës në të gjithë rajonin, si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale.
Shoqatat qytetare në Dibër vlerësojnë se gjatë projekteve të shumta që janë realizuar me qëllim që të mos ketë martesa mes të rinjve nën 18-vjeç, dominonte janë femrat. Në analizat e shoqatave qytetare thuhet se dukuria është dominante në zonat rurale, por ka raste edhe në qytet. “Mbi 60 për qind e martesave përfshijnë vajza minorene, dhe këto martesa janë të përhapura mes të gjitha bashkësive etnike të rajonit”, thuhet në hulumtimit e shoqatave që kanë trajtuar këtë problematikë, ndërsa potencohet se martesat e hershme shpesh rezultojnë me divorce, probleme shëndetësore dhe pasoja të tjera sociale dhe ekonomike.
Sipas Ligjit për familjen në Maqedoninë e Veriut, kushtet për realizimin e martesës minorene parashikojnë që gjykata kompetente mundet, në procedurë jashtëkontestimore, të lejojë martesën e personit që ka mbushur 16-vjeç, vetëm nëse vërtetohet se personi ka arritur pjekuri trupore dhe shpirtërore për kryerjen e të drejtave dhe obligimeve që sjell martesa, pas marrjes paraprake të mendimit nga Shtëpitë e Shëndetit dhe ndihmës profesionale të Qendrës për Punë Sociale. Por kur jemi tek martesat mes minorenëve, duhet theksuar se ka raste kurë në Dibër dhe në fshatrat përreth, për shkak të pamundësisë të realizojnë një kurorëzim ligjor, familjarët i lejojnë të rinjtë të bashkëjetojnë dhe pastaj kur mbushin moshën ligjore për martesë, edhe ligjërisht të bëjnë kurorëzimin. (koha.mk)