
Mjeku Zekirja Shaini, në një deklaratë për gazetën KOHA, theksoi se megjithëse numri i të infektuarve është i ulët, Kovidi është ende i pranishëm në klinikat e vendit. “Numri i të infektuarve me Covid-19 nuk është i lartë, por megjithatë virusi është ende mes nesh. Në klinikën tonë numri është i vogël dhe nuk ka mundësi për një rritje të dukshme. Nuk ka rrezik për një rritje të aktivitetit të virusit”
Anëmsha SHABANI
Shkup, 15 janar – Përkundër përmirësimit të përgjithshëm të situatës pandemike, vendi po vazhdon të monitorojë me kujdes aktivitetin e Kovidit. Sipas të dhënave më të fundit, janë regjistruar gjashtë raste të reja në periudhën prej 6 deri 12 janar, duke ngjallur shqetësime për mundësinë e një rritje të mëtejshme të infeksioneve. Pavarësisht se numri i rasteve është ende i ulët, autoritetet shëndetësore theksojnë rëndësinë e masave mbrojtëse dhe vaksinimit, veçanërisht për ata në grupe të rrezikuara. Sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik (ISHP), dy raste janë regjistruar në qytetet e Kumanovës dhe Strumicës, ndërsa nga një rast në Shkup dhe Kërçovë. Nga këto, pesë raste janë tek personat mbi 60 vjeç, dhe një rast i grupmoshës 40-49 vjeç.
“Shkalla e ulët e transmetimit të ‘SARS-Cov-2’, rënia e numrit të raportimeve dhe testimeve ndikon në aftësinë për vlerësimin e gjendjes epidemiologjike. Popullata e EU/EEA në përgjithësi ka një nivel të konsiderueshëm të imunitetit hibrid (vaksinim), që ofron një mbrojtje nga format e rënda të sëmundjes. Personat mbi 60 vjet janë më të rrezikuar nga pasqyra e rëndë e sëmundjes. Hospitalizimi i personave me COVID-19 të konfirmuar, pranimet në kujdesin intensiv dhe vdekjet mbeten në nivel të ulët në vendet e BE-së, ndërsa këto të dhëna nuk janë të disponueshme te ne”, theksoi ISHP.
Nga atje informojnë se edhe pse numri i të sëmurëve me Kovid në javë po shënon rënie, duke pasur parasysh se fillon periudha e qarkullimit të shtuar të viruseve respiratore në hemisferën veriore, ekziston rreziku që aktiviteti i SARS-Cov-2 të rritet, gjë që e thekson nevojën e vazhdueshme për mbikëqyrje (epidemiologjike dhe virologjike) në nivel kombëtar dhe rajonal. “Rekomandohet ruajtja e masave parandaluese për Kovid-19 dhe sëmundjet e tjera respiratore infektive. Vaksinimi mbetet një masë parandaluese e veçantë, duke siguruar mbrojtje ndaj formave të rënda të sëmundjes, megjithatë ky efekt mbrojtës zvogëlohet me kalimin e kohës. Vazhdon të rekomandohet vaksinimi për individët në grupe me rrezik të lartë, siç janë ata mbi moshën 60 vjeçare”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.
Nga ana tjetër, mjeku Zekirja Shaini, në një deklaratë për gazetën KOHA, theksoi se megjithëse numri i të infektuarve është i ulët, Kovidi është ende i pranishëm në klinikat e vendit.
“Numri i të infektuarve me Covid-19 nuk është i lartë, por megjithatë virusi është ende mes nesh. Në klinikën tonë numri është i vogël dhe nuk ka mundësi për një rritje të dukshme. Nuk ka rrezik për një rritje të aktivitetit të virusit”, theksoi ai. Ndër të tjera, nga ISHP-ja njoftojnë se janë testuar gjithsej 259 materiale në laboratorët ku bëhen analiza molekulare për vërtetimin e pranisë së virusit SARS-Cov-2. Krahasuar me javën që shkoi (n=128) është shënuar një rritje prej 18.3 për qind, ndërsa përqindja e rasteve pozitive sillet nga 0.0 për qind deri më 7.4 për qind, mesatarisht 2.0 për qind. (koha.mk)