Një ligj për stabilitet afatgjatë energjetik


Legjislacioni i ri nënkupton harmonizim me legjislacionin evropian dhe stabilitet afatgjatë dhe i qëndrueshëm energjetike. Mundësohet edhe lehtësimi i integrimit të sistemit dhe tregut kombëtar të energjisë elektrike me ato të rajonit

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 18 shkurt – Harmonizim me legjislacionin evropian, dhe stabilitet afatgjatë dhe i qëndrueshëm energjetik. Mundësimi dhe lehtësimi i integrimit të sistemit dhe tregut kombëtar të energjisë elektrike me ato të rajonit. Rritja e sigurisë së sistemit elektro-energjetik duke përmirësuar procesin e planifikimit dhe koordinimit. Kjo ndër të tjerash do të mundësohet me Ligjin e ri për energjetikë. Numri një i Ministrisë së Energjetikës, Sonja Bozhinovska thotë se një nga qëllimet kryesore të ligjit të ri është sigurimi dhe stabiliteti në furnizimin me energji elektrike. Me rregullore të qarta për investime në kapacitete të reja energjetike, duke përfshirë ruajtjen e energjisë elektrike, ky ligj do të mundësojë menaxhim më efikas të prodhimit dhe konsumit. Balancimi i sistemit energjetik dhe zhvillimi i infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes do të garantojë çmime të qëndrueshme dhe konkurruese të energjisë elektrike për familjet dhe industrinë.

“Gjithashtu, ligji mundëson rritje të bashkëpunimit rajonal, menaxhim më të mirë të energjisë dhe kushte të favorshme për investime, të cilat do të kontribuojnë në çmime të qëndrueshme dhe siguri më të madhe të furnizimit me energji elektrike. Me këtë, Maqedonia fiton një sistem të qëndrueshëm dhe të harmonizuar dhe hap mundësi për përfshirje më të shpejtë në tregun rajonal të energjisë elektrike përmes mekanizmave të tillë si “bashkimi i tregut”, thekson ajo.

Sipas saj , rritja e lidhjes me tregjet rajonale dhe evropiane të energjisë do të rrisë konkurrencën dhe do të krijojë kushte të favorshme për qytetarët dhe ekonominë, nëpërmjet çmimeve të qëndrueshme dhe të parashikueshme të energjisë elektrike. Do të mundësohen edhe kushte më të mira për investime në burimet e ripëritshme të energjisë, si dhe mundësia që qytetarët të mund të prodhojnë, ndajnë dhe shesin energjinë elektrike përmes bashkimit të tyre.

Për herë të parë mundësohet edhe magazinimi i energjisë elektrike si veprimtari e veçantë .Kjo pritet të sjellë menaxhim më të mirë të luhatjeve në prodhimin e energjisë nga era, dielli dhje uji, si dhe rritjen e stabilitetit të rrjetit dhe uljes e vartë sisë nga importi i rrymës, sidomos në periudhën e konsumit të madh. Me fjalë tjera energjia nga centralet diellore, dhe erës do të mund të përdoret në kohën kur ka më shumë nevojë tregu dhe konsumatorët , dhe jo vetëm gjatë prodhimit.

Nga ana tjetër, me Ligjin e ri për Energji, rregullatorit i jepen kompetenca serioze në procesin e lidhjes së tregut me vendet fqinje me qëllim të rritjes së konkurrencës, çmimeve më të ulëta dhe investimeve më të mëdha, thekson Marko Bislimoski, kryetar i Komisionit Rregullator për Shërbimet e Energjisë, Shërbimeve të Ujit dhe Shërbimeve të Menaxhimit të Mbeturinave Komunale të Republikës së Maqedonisë së Veriut. “Ne jemi të përfshirë në lidhjen e tregut mes Greqisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, përmes një projekti të USAID-it. Qëllimi kryesor është të bëhet pjesë e integruar e tregut pan-evropian. Ligji i ri për Energjinë shkon drejt liberalizimit të tregut, i cili inkurajon investimet. Me këtë proces të integrimit të tregut, kompanitë tona do të kenë mundësi të marrin pjesë në tregjet e vendeve fqinje”, thekson Bislimoski.

Ndryshe në vitet e kaluara disa herë është miratuar ligji për energjetikë, ndërsa ky i fundit me plotësimet dhe ndryshimet e reja i përgjigjet ndryshimeve dhe trendeve të reja në energjetikë në botë dhe rajon. (koha.mk)



Source link