Në Lushnjë gjejnë fajtorin e terreneve skandaloze, një francez karikon verdhejeshilët para Vorës


Lushnja është një ndër ekipet e Kategorisë së Parë, që ka ende nevojë për investime në infrastrukturë. Si në fushën e stadiumin, ashtu edhe në atë të stërvitjes. Edhe pse është ndërhyrë rreth dy vite më parë, gjendja vijon të mos jetë e mirë.

lushnja

Në një prononcim për “Panorama Sport”, anëtari i Këshillit Bashkiak, Klement Çela, zbërthen problematikën e terreneve. “Unë, për sa i përket terreneve, kam shprehur herë pas here rezervat e mia. Është turp që Lushnja, një ekip i Kategorisë së Parë, të luajë në të tillë fushë. Kjo, jo për faj të përgjegjësit të terreneve, por për faj të “specialistëve”, të cilët i orientuan që ta digjnin barin e fushës së stadiumit pasi do të mbillej i ri. Më pas, kjo nuk u bë sepse nuk i favorizonte koha. Të paktën kështu më është thënë për fushën nga krahu i spitalit, që u degradua pa u inauguruar. Kjo fushë nuk është marrë në dorëzim nga Bashkia, por pritet të ritrajtohet nga FSHF-ja”, deklaroi për gazetën anëtari i Këshillit Bashkiak, Klement Çela.

KAMISOKO – Ndërkohë, lushnjarët vijojnë të përgatiten për supersfidën e fundjavës me kryesuesit e Vorës. Skuadra e drejtuar nga Erion Xhafa është me moralin e lartë, pas fitores në transfertë me Erzenin. Francezi Kamisiko është lojtari i momentit te Lushnja, pasi ka shënuar sistematikisht në tre fitoret e fundit të skuadrës. “Ne hasëm vështirësi në ndeshjen me Erzenin, por trajneri dhe stafi na kishin përgatitur mirë për skenarë të tillë. Nuk është kurrë e lehtë të luash kundër skuadrave të fundit në renditje. Më e rëndësishmja është që u rikthyem në shtëpi me tri pikë të vlefshme.

Trajneri, stafi i tij dhe shokët e skuadrës më japin shumë besim, gjë që më ndihmon të jem gjithnjë e më i suksesshëm. Jam ende larg objektivave të mia, por jam i kënaqur me 3 golat e mi në pesë ndeshjet e fundit. Duhet të bëj më mirë për të ndihmuar skuadrën, që të arrijë sa më larg të jetë e mundur. Do të përballemi të dielën me një ekip shumë të mirë, si Vora. Ne do të fokusohemi te vetja jonë dhe jo te kundërshtari. Kemi shumë cilësi dhe jam i bindur se Lushnja mund të mposhtë këdo, në këtë kampionat”, deklaroi mesfushori francez i lushnjarëve, Fouseny Kamisoko.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link