Nutricionistja Kamberi rekomandon të kujdesemi të mos përdorim çdo ditë të njëjtat ushqime, sepse për 30 ditë agjërim, mund të kemi mungesë të disa elementeve thelbësorë për shëndetin, prandaj thotë se është e domosdoshme të kujdesemi për ushqimin dhe të përfshijmë perime, fruta, proteina dhe drithëra
Anëmsha SHABANI
Shkup, 28 shkurt – Muaji i Ramazanit është një muaj i veçantë për besimtarët myslimanë, ndërsa llogaritet si muaj i shenjtë i vitit. Përmes agjërimit, myslimanët përmbushin adhurimin shpirtërorë ndaj Zotit, si dhe për qëllim kanë të rrisin devotshmërinë dhe të pasurojnë jetën e tyre shpirtërore. Përveç aspekteve shpirtërore, agjërimi ka edhe një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e trupit, megjithëse kërkon kujdes të veçantë në aspektin e ushqyerjes, për të ruajtur energjinë dhe mirëqenien gjatë gjithë ditës. Në Maqedoninë e Veriut, ku një pjesë e madhe e popullsisë e praktikon këtë akt shpirtëror, është e rëndësishme të kuptojmë se si të ushqehemi shëndetshëm gjatë Ramazanit për të mbajtur ekuilibrin dhe energjinë, duke përfshirë lëndët ushqyese të nevojshme që ndihmojnë trupin të mbajë agjërimin me shëndet dhe vitalitet.
Për këshilla më të detajuara, gazeta KOHA bisedoi me nutricionisten Ermira Kamberi, e cila na këshilloi që syfyrit t’i japim një rëndësi shumë të madhe, pasi që siç tha ajo, ne duhet të sigurojmë energji për 13 orët e ardhshme.
“Agjërimi është një sfidë për trupin, por nëse e planifikojmë mirë ushqimin, mund të na sjellë shumë përfitime shëndetësore. Gjatë syfyrit, është shumë e rëndësishme që të konsumojmë ushqime të lehta që do të sigurojnë energji të qëndrueshme gjatë ditës. Buka e bardhë nuk preferohet aspak gjatë syfyrit, ndërsa frutat dhe drithërat janë zgjedhje ideale për këtë kohë. Ato janë të pasura me vitamina dhe fibra, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e energjisë gjatë ditës dhe ndihmojnë sistemin tretës. Kjo është një mundësi për të përfituar nga lëndët ushqyese të nevojshme pa e ngarkuar trupin me ushqime të rënda. Për më tepër, duhet të përfshihen edhe lëngje të mjaftueshme, si ujë dhe lëngje të tjera natyrale, që ndihmojnë hidratimin e trupit”, rekomandoi ajo.
Sa i përket iftarit, ajo thotë se është shumë e rëndësishme që të fillojmë iftarin me ushqime të lehta dhe të shëndetshme dhe të mos teprohet me ushqim.
“Hurmat dhe uji janë zgjedhje ideale për të hapur iftarin, pasi ato ofrojnë sheqerna natyrale që ndihmojnë në rifillimin e energjisë pas një dite të gjatë. Pasi të jemi hidratuar, është mirë të konsumojmë supa ose çorba me perime, të cilat janë të pasura me vitamina dhe minerale, dhe ndihmojnë tretjen. Pas një pauze të shkurtër, mund të kalojmë në ushqimet më të rënda, por është shumë e rëndësishme të mos teprojmë me ushqimin. Është më mirë të lëmë pak hapësirë për ushqime që mund të konsumojmë më vonë”, theksoi Kamberi.
Megjithatë, nutricionistja rekomandoi të kujdesemi që të mos përdorim çdo ditë të njëjtat ushqime, sepse për 30 ditë agjërim, mund të kemi mungesë të disa elementeve thelbësorë për shëndetin, prandaj, është e domosdoshme të kujdesemi për ushqimin dhe të përfshijmë perime, fruta, proteina dhe drithëra. Për fund, ajo shtoi se gjatë agjërimit, është e rëndësishme të bëjmë aktivitete të lehta fizike gjatë ditës, si ecja e lehtë, pasi që, kjo ndihmon trupin të ruajë qarkullimin e duhur të gjakut dhe përmirëson energjinë. Ndërsa për adoleshentët që agjërojnë dhe ata që janë më të moshuar, Kamberi rekomandon të bëjnë gjumë për të paktën 30 minuta gjatë ditës, me qëllim që ata të ndihen më të freskët dhe të ruajnë energjinë e nevojshme për agjërimin.
Ndër të tjera, agjëruesit këtë muaj do të agjërojnë gjithsej 29 ditë, pasi që Muaji i Ramazanit fillon më 1 mars dhe përfundon më 29 mars. Më 30 mars 2025 është festa e Fitër Bajramit. (koha.mk)