Mickoski nuk i shkëputet Këshillit Gjyqësor


“Vlerësojmë se duhet të godasim në qendër, nuk duhet të improvizojmë dhe të bëjmë implante. Goditja nënkupton që gjithçka që është në kompetencat e Parlamentit, pra aty ku zgjidhen anëtarët e Këshillit Gjyqësor, aty të votohet edhe interpelanca. Është e vërtetë se, pavarësisht interpelancës, ata mund të mbeten dhe të vazhdojnë të jenë në Këshillin Gjyqësor, nuk them se nuk është e vërtetë. Por, në kushtet kur ai që të ka zgjedhur të voton mosbesim dhe ti vazhdon me kokëfortësi, kjo nuk është e mirë, dhe atëherë kemi mekanizma dhe mjete të tjera…”, tha Mickoski

Ersan PAJAZITI

Shkup, 6 shkurt – Kryeministri Hristijan Mickoski nuk ka hequr dorë nga shkarkimi i Këshillit Gjyqësor. Dje ka informuar se deputetët e VMRO-DPMNE-së do të dorëzojnë në Parlament një nismë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, si një nga hapat parë, siç e quajti ai, nisjen e reformave në sistemin e drejtësisë. Sipas Mickoski, qytetarët nuk janë të kënaqur me mënyrën se si funksionon sistemi gjyqësor dhe prokurorial tek ne. Kryeministri e përshkruan Këshillin Gjyqësor si një kënetë që përmban shumë kontradikta dhe skandale, ndaj vlerëson se nuk mund të bëhet shpërbërje e plotë ose që anomalitë të detektohen për një kohë të shkurtër, por mund të zgjidhet një Këshill Gjyqësor, i cili, siç tha ai, në mënyrë objektive, pa pranga dhe interesa partiake, do të mund ta pastrojë këtë kënetë politike dhe të jetë një lloj monitoruesi i mënyrës se si gjyqtarët sillen dhe çfarë vendimesh marrin.

Megjithatë, kryeministri Mickoski u shpreh se është i vetëdijshëm se edhe pas votimit të mosbesimit ndaj tre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilët i voton Parlamenti, ata mund të vazhdojnë me punë, pasi Parlamenti nuk ka të drejtë shkarkimi të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, por ai pret që ata të veprojnë me përgjegjësi dhe në bazë morale të japin dorëheqje.

“Vlerësojmë se duhet të godasim në qendër, nuk duhet të improvizojmë dhe të bëjmë implante. Goditja nënkupton që gjithçka që është në kompetencat e Parlamentit, pra aty ku zgjidhen anëtarët e Këshillit Gjyqësor, aty të votohet edhe interpelanca. Është e vërtetë se, pavarësisht interpelancës, ata mund të mbeten dhe të vazhdojnë të jenë në Këshillin Gjyqësor, nuk them se nuk është e vërtetë. Por, në kushtet kur ai që të ka zgjedhur të voton mosbesim dhe ti vazhdon me kokëfortësi, kjo nuk është e mirë, dhe atëherë kemi mekanizma dhe mjete të tjera. Megjithatë, shpresoj që nëse deputetët votojnë mosbesim ose interpelancë për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, ata do të jenë të ndershëm dhe do të tërhiqen,” tha kryeministri Hristijan Mickoski.

KAMBOVSKI: ANËTARËT E KËSHILLIT GJYQËSOR MUND TI SHKARKOJË VETËM KËSHILLI GJYQËSOR

Ndërkohë, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski theksoi se secili ka të drejtë të ngrejë iniciativë në Parlament, por ka Ligj për Këshillin Gjyqësor, i cili e rregullon mënyrën se si shkarkohen anëtarët e Këshillit Gjyqësor, ndërsa shkarkimi mund të bëhet vetëm në Këshillin Gjyqësor. Kambovski vlerëson se derisa ekziston kjo zgjidhje ligjore, e njëjta duhet të respektohet, ndaj pret që deputetët në Parlament dhe qeveria do ta respektojnë Ligjin dhe Kushtetutën.

“Kam dhënë mendim në aspekt të procedurës për shkarkim të Këshillit Gjyqësor. I vetmi vend që është paraparë me Ligjin për Këshillin Gjyqësor. Iniciativa mund të ngrihet në Parlament dhe Secili ka të drejtë të ngrejë iniciativa. Kam thënë edhe më herët se të gjithë në shtet punojmë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën dhe nuk kam arsye të dyshojë që edhe Parlamenti edhe Qeveria punojnë në përputhje me ato principe”, theksoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.

FILIPÇE: REFORMA PO, PARTIZIM JO!

Nga ana tjetër, edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i ka reaguar njoftimit të kryeministrit se deputetët e VMRO-DPMNE-së në Parlament do të dorëzojnë nismë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Sipas kreut të socialdemokratëve, nevojiten reforma të thella në sistemin e drejtësisë dhe këtë e presin qytetarët, por reforma që do të sjellin një gjyqësor të pavarur dhe efikas, i cili do të sigurojë drejtësi, e jo partizim të mëtejshëm. Filipçe theksoi se nuk duhet të lejojmë që drejtësia që kërkojnë qytetarët të shndërrohet në një partizim dhe okupim të ri përmes ndryshimit të Këshillit Gjyqësor nga ana e pushtetit.

“LSDM kërkon që hapat dhe reformat e ardhshme në sistemin e drejtësisë të bëhen me konsensusin e të gjitha partive në Kuvend. Nevojitet një qasje kombëtare, mbi partiake, e cila do të sigurojë reforma në përputhje me rekomandimet evropiane. Për këtë, është e nevojshme krijimi i një grupi të përbashkët pune në Kuvend, i cili do t’i përcaktojë, kontrollojë dhe zbatojë së bashku reformat në këtë segment të ndjeshëm. Nëse VMRO-DPMNE ka qëllime të sinqerta, do ta pranojë këtë. Përndryshe, kjo do të thotë se kanë synime krejtësisht të ndryshme”, është shprehur Filipçe.

Ndërsa, deputeti i Frontit Europian, Talat Xhaferi, i pyetur rreth asaj se cili është qëndrimi i grupit parlamentar të Frontit Europian dhe konkretisht i BDI-së në lidhje me këtë çështje, refuzoi të japë një përgjigje konkrete, duke thënë se kjo çështje është një procedurë parlamentare dhe si e tillë duhet të japë përgjigje grupi parlamentar në Parlament.

Përndryshe, Këshilli Gjyqësor është i përbërë nga 15 anëtarë, prej të cilëve 3 i voton parlamenti, 2 anëtarë vijnë me propozim të presidentit të shtetit, ndërsa 8 nga ana e gjykatësve. Anëtarë të Këshillit Gjyqësor janë edhe kryetari i Gjykatës Supreme dhe ministri i Drejtësisë, por pa të drejtë vote. Vendi gjatë periudhës së fundit, përmes grupit punues në Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë aktive punon në krijimin e një Ligji të ri për Këshillin Gjyqësor, i cili do të jetë i miratuar edhe nga Komisioni Europian si pjesë e agjendës reformuese. Pritet që Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor të miratohet më së voni në qershor, ndërsa i njëjti të implementojë edhe vlerësimet e misionit vlerësues.



Source link