Mickoski mundohet të arsyetohet: Shqiptarët nuk punojnë për 25 mijë denarë


“Kemi konkurse të hapura dhe i lusim njerëzit që të punësohen, nuk duan sepse kanë rroga më të mira, nuk duan të punësohen në administratë për rroga 24-25 mijë denarë. Unë publikisht them që të ketë sa më shumë aplikues shqiptarë, romë, turq dhe të hyjnë të punojnë në administratën shtetërore, nuk paraqiten, nuk ka interes”, theksoi Mickoski

Ersan PAJAZITI

Shkup, 27 shkurt – (Mos)punësimi i shqiptarëve në administratën shtetërore, drejtësia dhe politika e jashtme ishin tema që u prekën në Parlament gjatë seancës për pyetje deputetësh. Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari kërkoi sqarim nga kryeministri Hristijan Mickoski për çështjen e punësimeve për shqiptarët. Ajdari tha se përderisa zëvendëskryeministri Mexhiti premtoi se mijëra punësime për shqiptarët janë rrugës, i njëjti u demantua nga kolegët e tij.

“Nëse Ministria e Financave nuk ka nënshkruar asnjë vendim për punësime etnike, ndërsa ne e besojmë këtë sepse e keni abroguar Balancuesin dhe nuk ka një mekanizëm për punësime të shqiptarëve. A do të pranojmë më në fund se këto premtime për punësime ishte vetëm një premtim elektoral”, pyeti deputetja e Frontit Europian, Rina Ajdari. Në përgjigjen e tij, kryeministri kritikoi qasjen e BDI-së që siç tha, punët i sheh në baza etnike, pasi sipas tij, Maqedonia është shtet sovran dhe unitar dhe duhet të trajtohet si i tillë. Sa i përket punësimeve, kryeministri Mickoski tha se në konkurset për punë mund të paraqiten edhe kandidatë shqiptarë, por që sipas tij, shqiptarët nuk janë të interesuar për t’u punësuar në sektorin publik për shkak të pagave të ulëta.

“Kemi konkurse të hapura dhe i lusim njerëzit që të punësohen, nuk duan sepse kanë rroga më të mira, nuk duan të punësohen në administratë për rroga 24-25 mijë denarë. Unë publikisht them që të ketë sa më shumë aplikues shqiptarë, romë, turq dhe të hyjnë të punojnë në administratën shtetërore, nuk paraqiten, nuk ka interes”, theksoi Mickoski. Ai tha se nëse BDI ka fjalën për punësime, ku merret vetëm rroga pa shkuar në punë, një gjë e tillë nuk do të ndodh më.

“U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që ndjehen kompetent, të punësohen në administratën shtetërore, por jo në principin e Lotarisë, ku ka pasur dhjetëra persona të cilët kanë marrë rroga dhe nuk kanë shkuar në punë”, theksoi kryeministri Mickoski, i cili deklaroi se projekt-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është në përfundim e sipër dhe se i njëjti do ti dërgohet Komisionit të Venecias për mendim, pas çka do të duhet të miratohet në Parlament. Megjithatë, Mickoski u shpreh skeptik se ky ligj do të inkurajonte shqiptarët të punësohen në administratën shtetërore.

“Edhe Ligjin më brilant ta miratojmë, nuk do të gjejmë shqiptarë arkitekt që do të punonte në Ministrinë e Transportit të Aleksandar Nikollovskit, apo ndonjë sociolog të diplomuar në ministrinë e Fatmir Limanit për rrogë 25 mijë denarë”, tha Mickoski. Përgjigjen e kryeministrit deputetja e Frontit Europian, e vlerësoi si demagogji, ndërsa pyeti edhe përfaqësuesin e Ministrisë së Drejtësisë se pse kjo ministri nuk po bën një luftë gjithëpërfshirëse kundër krimit dhe korrupsionit, duke përmendur idenë e vetingut të BDI-së. “Pse deri më sot nuk ka një iniciativë të përbashkët për një proces gjithëpërfshirës të vetingut për të gjithë politikanët në tridhjetë vitet e fundit. Përse propozim ligji i BDI-së për veting që është propozuar në 2020 nuk është hapur. Nëse vërtetë ekziston një përkushtim i sinqertë për një sistem të drejtë, atëherë çfarë pengon qeverinë për një proces të vettingut”, pyeti deputetja Ajdari.

Ndërkohë, zv/ministri i drejtësisë Аlen Dereban e quajti hipokrizi pyetjen e deputetes Ajdari, pasi që sipas tij, BDI është parti sinonim i krimit dhe korrupsionit dhe si e tillë, Dereban vlerësoi se nuk ka kredibilitet politik e as moral që të diskutojë për këtë temë. “Është hipokrite nga ana e BDI-së të bëhet pyetja për veting, kur ka qenë 20 vite në pushtet. BDI është shembull për krim dhe korrupsion, ne kemi një nënkryetar të asaj partie i cili është në arrati dhe pres që ju nga kjo foltore ti bëni thirrje që të kthehet dhe të përballet me drejtësinë”, theksoi Dereban, i cili njoftoi se për luftë ndaj krimit dhe korrupsionit ministria e drejtësisë po harton një ligj të ri.

Përndryshe në seancën për pyetje deputetësh, LSDM dhe qeveria kanë vazhduar me akuzat e tyre të ndërsjella sa i përket politikës së jashtme, ku LSDM ka kërkuar sqarim nga kryeministri për siç thonë vendosjen në një situatë të paqartë në politikën globale, ndërsa kryeministri u përgjigj duke thënë se ka qenë logjike që Maqedonia e Veriut të qëndrojë pas rezolutës së SHBA, ndërsa tha se edhe shtetet evropiane do të radhiten në Uashington në përkrahje të së njëjtës rezolutë. (koha.mk)



Source link