
Kreu u LD-së, njëherë zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti ka takuar Qerim Aliun, babain e dëshmorit Mujdin Aliu. Mexhiti apelon që vazhdimisht të kujtojmë dëshmorët e kombit.
“Takimi me babë Qerimin, babain e dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujdin Aliu, është një moment frymëzimi, sepse ai edhe sot rrezaton dashuri për kombin tonë, të cilit ia fali djalin e tij në lule të rinisë. Është gjithmonë kënaqësi të dëgjosh këshillat e sugjerimet e babë Qerimit, sepse ato pasqyrojnë ëndërrat e brezave të tërë për një jetë në liri e mirëqenie. Mbi të gjitha, fjalët e babë Qerimit na mësojnë se si duhet atdheu. Mbi supe, babë Qerimi mban krenarinë dhe mallëngjimin për djalin e tij, i cili tashmë është heroi ynë i përbashkët. Edhe në ketë moshë të jetës së tij, babë Qerimi vazhdon të mbetet një simbol i forcës e qendrësës, por edhe i përkujtimit se sa shtrenjtë e kemi paguar lirinë. Çdo ditë të jetës, sot, nesër e përgjithmonë duhet të kujtojmë veprën e heroit Mujdin Aliu, djalit nga Tetova që u bë lulja e Koshares.”, ka shkruar Mexhiti.(Tv21)