Arsimtari Satki Ismaili, i cili 40 vite punon në arsim, thotë se nxënësit nuk janë fajtorë që koha po ndryshon, prandaj familja së bashku me stafin e shkollës duhet të punojnë që të kemi gjenerata të suksesshme
Urim HASIPI
Tetovë, 28 shkurt – Fëmijët shkojnë në shkollë më shumë për arsye të mos ndëshkohen dhe se e kanë obligim ligjor dhe jo për të mësuar. Kështu thonë mësimdhënësit, të cilët shprehen se ky perceptim për shkollën nuk ka qenë në të kaluarën. Sipas mësimdhënësve, në të kaluarën – nxënësit brenda një muaji kanë lexuar tre ose katër libra jashtë procesit mësimor, ndërsa sot mezi lexojnë dy libra gjatë tërë vitit. Krahas kësaj, ndryshimet e mëdha në mënyrën e jetesës, digjitalizimi dhe koha moderne kanë bërë që fëmijët më shumë kohë të kalojnë në rrjete sociale sesa duke lexuar. Por, si po i përballojnë këto ndryshime mësuesit në raport me fëmijët.
Arsimtari Satki Ismaili, që 40 vite punon në arsim, thotë për KOHA se nxënësit nuk janë fajtorë që koha po ndryshon, prandaj familja së bashku me stafin e shkollës duhet të punojnë që të kemi gjenerata të suksesshme.
“Në atë kohë, fëmijët ishin më afër librave dhe fletoreve, pra kishin qasje direkte në libra dhe fletore. Kurse me digjitalizimin në këtë kohë, po shohim se librat anashkalohen. Statistikat tregojnë se ka rënie në lexueshmëri, sidomos tek gropmoshat më të reja në shkollat fillore. Dikur nuk kishte nxënës që nuk lexonte tre ose katër libra në muaj, ndërkohë që tani për tërë vitin llogaritet se nxënësit lexojnë tre deri në katër libra. Duhet ta mbajmë mend të kaluarën, por fëmijët nuk e kanë përjetuar atë. Pra, ne që e kemi përjetuar atë kohë, duhet të mundohemi të bëjmë reformë në vetvete, ta ndryshojmë veten për një qasje krejt ndryshe, sepse e kaluara është një thesar për të tashmen”, thotë arsimtari Satki Ismaili.
Megjithatë, krahas mësimit, ndryshimet e mëdha në mënyrën e jetesës kanë bërë që të kemi gjenerata, të cilët janë diametralisht të kundërta me gjeneratat e mëhershme. Prandaj, kjo paraqet sfidë edhe për mësimdhënësit në këtë kohë, të cilët duhet të adaptohen me sistemin e ri.
Krahas kësaj, sipas mësimdhënësve, tash nxënësit kanë më shumë mungesa në orët e mësimit se sa në të kaluarën. Nëse në të kaluarën fëmijët pjesën më të madhe të kohës e kalonin me prindërit, tash më shumë kohë kalojnë në rrjetet sociale. Problem në vete është se në të kaluarën, më shumë kërkohej përgjegjësi nga fëmijët, ndërsa tani nuk guxohet as që të përmenden ndëshkimet në forma të ndryshme, thonë arsimtarët. Ndërkaq, sipas raportimeve, nxënësit e shkollave të mesme të Maqedonisë së Veriut kanë rezultate të dobëta në testimin e PISA-s. Një nga arsyet e rezultateve të dobëta është koha e pamjaftueshme e shpenzuar për të mësuar pasi nxënësit në Maqedoninë e Veriut kanë rreth 900 orë më pak se mesatarja e moshatarëve të tyre në vendet e zhvilluara. (koha.mk)