MË BËJ NËNË DEPUTET! Rrogat e të zgjedhurve sa katër rroga mesatare


Nëse merret paga prej së paku 2000 euro e një deputeti, kjo është për tre deri katër herë më shumë se një pjesë e madhe e pagave në vend prej 500 deri 600 euro, por edhe gjashtë herë më shumë se paga aktuale minimale. Nëse ata janë pjesë e komisioneve parlamentare, përftimet rriten

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 18 shkurt – Pagat e deputetëve në Maqedoni dhe rajon variojnë nga 1700 deri në 2500 euro. Paga bazë me e ulët paguhet në Kosovë dhe Bosnjë, ndërsa puna në Parlament shoqërohet edhe me shpërblime shpesh të barabarta me rrogën. Në Maqedoninë e Veriut deputetët kanë pagën bazë prej 121.600 denarë, ose 2 mijë euro. Nëse ata janë pjesë e komisioneve parlamentare, përftimet rriten dhe kalojnë 2100 euro. Për më tepër, nëse merret paga prej së paku 2000 euro e një deputeti, kjo është për tre deri katër herë më shumë se një pjesë e madhe e pagave në vend prej 500 deri 600 euro, por edhe gjashtë herë më shumë se paga aktuale minimale. Nga maji i vitit 2023, funksionarët e lartë vazhdojnë të marrin paga të larta me një mesatare prej 2000 eurosh në muaj. Edhe pse autoritetet në vend premtuan ulje të kësaj page të rritur për 78 për qind me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nga muaji maj me mijëra zyrtarë në vend pranojnë paga të larta.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale deklaruan kohë më parë se një opsion për shkurtimin e pagave ishte një nen në Ligjin e ri për pagat në sektorin publik, dhe një tjetër është ndryshimi dhe plotësimi i disa ligjeve, gjashtë apo shtatë ligje, që rregullojnë pagat e të gjithë atyre zyrtarëve, që përfshihen me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Njëherësh, kjo zgjidhje duhej të kalojë në Parlament, që e jep verdiktin e fundit me shumicë të thjeshtë apo me 61 vota. Edhe pse ishte premtuar se zgjidhja do të ofrohet deri në fund të vitit 2023 për 1260 funksionarë të emëruar dhe zgjedhur, ato vazhdojnë të marrin paga me rritje.

Fillimisht, dy vite më parë nga ish-ekzekutivi thanë se po shqyrtohet mundësia e uljes së koeficientëve në përllogaritjen e pagave, por më pas thanë se përmasat e pagave të zyrtarëve do të rregullohen me një zgjidhje të re ligjore. Një ligj i tillë nuk është miratuar deri më tani, kështu që mbi 1200 zyrtarë shtetërorë, përfshirë edhe ata më të lartë, akoma marrin rritje pagash prej 78 për qind.

Gjykata Kushtetuese deklaroi kohë më parëse nuk ka vendosur për shumën e pagave, por është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së dispozitave të veçanta. Është vlerësuar si antikushtetuese ngrirja e bazës deri më tani. Nga atje shtojnë se ndryshimet dhe korrigjimet e pagave janë përgjegjësi e Kuvendit dhe nismave ligjore që e mundësojnë këtë,ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk vendos për pagat. Vitet e kaluara, vetëm janë shkurtuar nga qeveritë mundësia që pagat e funksionarëve të rriten në mënyrë shtesë përskaj harmonizimit të rregullt. Kjo çështje mbeti në heshtje edhe nga opozita e atëhershme , por edhe ekzekutivi aktual.

Si do që të jetë – në të gjitha rastet, këto janë fitime neto të deputetëve prej së paku 2000 euro në muaj , të cilave duhet t’u shtohen shtesa të ndryshme e që ndryshojnë nga vendi në vend, por baza është e ngjashme. Janë pagesat e udhëtimit, karburantet apo taksitë, pagesa e faturave të telefonit apo rritje paushall pagash, që mbulon shpenzimet e akomodimit të deputetëve që nuk janë kryeqytetas, ushqime të ngrohta, pagesa për pushime, ndonjëherë edhe shpenzimet e jetesës veçmas. Më interesantja në këtë kuptim është Bosnja dhe Hercegovina, ku edhe deputetët paguhen me tarifë “për të vizituar bazën elektorale”.

Ndërkohë, një deputet i parlamentit shqiptar e ka pagën bazë 3150 euro bruto, ndërsa në llogarinë e tij bankare hidhen 2250 euro në muaj. Kjo është vetëm një pjesë e përfitimit nga puna si ligjvënës, pasi të ardhurat e tij rriten nga puna në komisione parlamentare, honoraret, rimbursimi i karburantit, qirasë, telefonit dhe pagesat e tjera të cilat garantojnë përfitim të përgjithshëm deri në 4000 euro. Edhe në rajon deputetët janë të privilegjuar, por sipas shteteve paga e krahasuar është më e ulët ose më e lartë. Kështu, në Kosovë, me Ligjin në fuqi – deputetët dhe ministrat paguhen me rrogën bazë 1720 euro. Në Malin e Zi, rroga e një deputeti llogaritet çdo muaj për punën e kryer, por mesatarisht ajo qëndron në nivelin 2000 euro. Në muajin nëntor, për shembull 28 deputetë nga 81 gjithsej e tejkaluan këtë rrogë.

Mes vendeve fqinje, edhe në Bosnjë Hercegovinë, paguhet një shumë e ngjashme mujore, me shifrën që arrin ndërmjet 1800 dhe 2500 euro. Në Serbi, pagat e deputetëve variojnë nga 1100 deri në 2000 euro, sipas të dhënave të bazuara në informacionin e mbledhur nga gazetarët në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Në Bosnje dhe Hercegovinë, pagat e punonjësve në institucionet shtetërore sapo janë rritur, por pavarësisht rritjes, e treta në tre vjet, deputetët nuk arrijnë dot me kolegët e tyre në Mal të Zi. Me rritjen prej 30%, që Këshilli i Ministrave vendosi më 27 nëntor, deputetët e Asamblesë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinë do të marrin një pagë mesatare neto prej rreth 2500 euro.

Në Kosovë, paga mesatare e një deputeti është 2000-2300 euro, e përbërë nga 1500-1800 euro paga bazë dhe mesatarisht 500 euro “ndihma e veçantë mujore” sipas Vendimit të Kryesisë së Parlamentit të Kosovës nga maji i vitit 2023. Në Maqedoninë e Veriut, deputetët e Kuvendit marrin paga neto sipas koeficientit, ashtu si guvernatori i Bankës Popullore dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese – nga mesatarja 1750 euro, që është ajo që marrin të rinjtë, deri në rreth 2000 euro, sa marrin ata që kanë, le të themi, 20 vjet shërbim. Në Shqipëri, në pranverën e vitit 2023, me propozim të Qeverisë së Edi Ramës, u miratua një rregullore që praktikisht dyfishonte pagat në administratën shtetërore.

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut kanë të ardhura të garantuara të rregulluara me Ligjin për deputetë dhe Ligjin për pagat dhe kompensimet tjera të deputetëve dhe zyrtarëve të zgjedhur. Ligji për pagat dhe kompensimet tjera të deputetëve dhe të zgjedhurve u ndryshua në janar të vitit 2025, duke ulur koeficientët, por pavarësisht kësaj, pagat e tyre u rritën me rritjen e pagës mesatare. Në vend të koeficientit të mëparshëm për zyrtarët nga 1.91 në 3.92, të rinjtë tani variojnë nga 1.69 në 3.47.

Deputetët marrin pagë bazë dhe shtesa. Paga bazë e një deputeti tani është 1751 euro, nëse nuk kanë as një ditë përvojë pune. Gjithashtu deputetët kanë të drejtë për shtesa të shumta, si shpenzimet e udhëtimit. Ata marrin 20 për qind të çmimit me pakicë të karburantit për kilometër. Ata marrin gjithashtu kompensim për të jetuar të ndarë – 30 për qind e pagës mesatare në vend. Më pas, kanë subvencione për marrjen me qira të banesës: nëse deputeti jeton jashtë vendit, ka të drejtë strehimi deri në 70 metra katrorë, ose deri në 100 metra katrorë nëse është me familje. Gjithashtu, nëse kanë udhëtime në zonën elektorale – deputetët që jetojnë jashtë vendit kanë të drejtë për gjashtë vizita zyrtare në vit, me shpenzime të mbuluara. Gjithashtu, deputetët marrin kompensime edhe për: Udhëtimet zyrtare (shpenzimet ditore dhe të natës); Shpenzimet e funeralit (shuma e dy pagave të fundit); Shpenzimet për përdorimin e një makine private për qëllime zyrtare, si dhe pagesa e largimit pas daljes në pension prej tre pagash mesatare.

Nëse bëhet krahasimi me pagat e civilëve, deputetët kanë të ardhura dhe privilegje dukshëm më të larta të garantuara. Në mënyrë të veçantë, shumat për shpenzimet e udhëtimit po shkaktojnë reagime në opinion, duke qenë se ndër vite disa deputetë kanë ngarkuar me mijëra euro për shpenzimet e udhëtimit. Sa i përket pagave, në vitin 2024 është dashur të kenë një rritje tjetër në përputhje me rritjen e pagave mesatare, por u miratua një ligj për të parandaluar rritjen për shkak të reagimeve të opinionit. (koha.mk)



Source link