Mbyllja e Çerdhes në Dobërdoll! Kryetari i Vrapçishtit kër’cënon me padi drejtoreshën dhe ministrin Limani


Çerdhja “Pranvera” në fshatin Dobërdoll të komunës së Vrapçishtit edhe sot ishte e mbyllur. Për shkak faturave të pa paguara objekti ka mbetur pa rrymë, me çka 40 fëmijë kanë qëndruar në shtëpi. Drejtoresha e çerdhes fajëson Komunën.

“Është problemi i njëjtë edhe dje edhe sot. Ne kemi dërguar kërkesë deri te komuna e Vrapçishit që ta lëshojnë rrymën dhe të fillojmë me punë”, tha Turqan Saliji – Drejtoresh e Çerdhes.

Por pse drejtoresha kërkon që rrymën ta lëshojë komuna?

“Ministria na ka thënë që të dërgojmë kërkesë deri te komuna dhe ne e kemi dërguar”, tha drejtoresha e Çerdhes Turqan Saliji.

Kryetari i komunës së Vrapçishtit Isen Shabani thotë se drejtoresha është e pa aftë dhe nuk di ta menaxhoj çerdhen.

“Duhet ta lexoj ligjin, që programi vjetor zbatohet nga drejtori dhe nga këshilli drejtues që e miraton këshilli drejtues, pastaj drejtori duhet ta miratoj. Në atë program ata është dashur të parashohin mjete edhe për rrymë edhe për rroga për punonjësit e brendshëm. Drejtoresha nuk e njeh vetën se ku gjendet, me keqardhje e them këtë, drejtoresha është viktimë e mos dijes”, deklaroi Isen Shabani – kryetar i Komunës së Vrapçishtit.

Sipas Shabanit, kjo drejtoreshë është emëruar drejtpërdrejt nga Ministria e politikës sociale, ndërsa kjo e fundit ia ka marr kompetencat komunës. Ai paralajmëroi se do ta ndjek penalisht edhe ministrin dhe drejtoreshën.

“Ministri ka bërë një nga edukatoret drejtoresh. Unë mbrëmë pata mundësi që të ndjek prononcimin e saj dhe me keqardhje e them se drejtoresha është në mjegull dhe nuk e dinë se çka thotë se çka vepron dhe nuk e dinë përgjegjësinë ligjore çka e pret. Në fund të fundit unë si kryetar komunë, si përgjegjës, në bazë të detyrës zyrtare nga sot i drejtohem edhe ministrit të dëgjojë mirë, por edhe drejtoreshës që nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e drejtoreshës. Nga nesër do ndiqen penalisht edhe ministri edhe drejtoresha”, shtoi kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani.

Disa herë tentuam të kontaktojmë ministrin e politikës sociale, Fatmir Limanin, por ishte i pa qasshëm.(Tv21)



Source link