Propozimi i fundit i Sindikatave bazohet në llogaritjet se, standardi i punëtorëve është ulur edhe më shumë gjatë vitit të fundit dhe propozojnë që paga minimale të rritet në 500 euro në vend të 450 eurove që kërkonin deri më tani. Por, ata propozojnë që kontributet prej 3000 deri në 6000 denarë të subvencionohen nga Qeveria për një periudhë njëvjeçare
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 mars – Rritja e pagës minimale mbi 24 mijë denarë në muajin mars është vështirë e arritshme pa subvencione shtetërore. Sindikatat paralajmërojnë se do të paraqesin një kërkesë të re për shumën e pagës minimale në Këshillin Ekonomik dhe Social. Punëdhënësit nuk pranojnë të bëjnë ankand apo licitacion për shumën e pagës minimale, ndërsa Qeveria përsëriti qëndrimin e saj se do të pranojë çdo gjë që sindikata dhe punëdhënësit bien dakord. Propozimi i fundit i Sindikatave bazohet në llogaritjet se, standardi i punëtorëve është ulur edhe më shumë gjatë vitit të fundit dhe propozojnë që paga minimale të rritet në 500 euro në vend të 450 eurove që kërkonin deri më tani. Por, ata propozojnë që kontributet prej 3000 deri në 6000 denarë të subvencionohen nga Qeveria për një periudhë njëvjeçare.
Sipas Ligjit për pagën minimale, për llogaritjen e tij merren parasysh dy parametra: paga mesatare e paguar në nivel shtetëror për vitin paraardhës dhe norma vjetore e inflacionit. Sipas nenit të katërt të Ligjit për pagën minimale, në muajin mars ajo përshtatet në 50 për qind të rritjes së pagës mesatare neto të paguar në Maqedoninë e Veriut për vitin paraprak, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, dhe 50 për qind të rritjes së indeksit të kostos së jetesës për vitin paraprak, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës. Lidhur me mos pagesën e kontributeve për rritje deri në 27.500 denarë, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska paraprakisht deklaroi se kjo është e papranueshme dhe se në vend – në krahasim me rajonin, këto taksa janë më të ulëta dhe punëdhënësit duhet t’i paguajnë. Gjithashtu, askush nga ekzekutivi akoma nuk ka komentuar publikisht për një ligj të mundshëm për subvencionimin e pagave.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, në dhjetor 2024, shuma minimale ligjore është depozituar në llogaritë e gjithsej 21.193 punonjësve. Të dhënat tregojnë se pagën minimale më së shpeshti e paguajnë të vetëpunësuarit dhe mikro-firmat. Numri më i vogël i punonjësve me pagë minimale është në kompanitë e mëdha, të cilat punësojnë mbi 250 persona. Vetëm 4 për qind e punëtorëve në ato kompani punojnë për pagën minimale.
Gjashtë vite më parë, Qeveria mbështeti rritjen e pagës minimale me subvencione për kontributet. Ky Ligj u miratua në nëntor 2019, me idenë për të motivuar kompanitë për të rritur pagat më të larta dhe jo vetëm pagën minimale. Sipas statistikave, paga mesatare që nga nëntori 2019 deri në korrik 2022 është rritur me 23% dhe paga minimale është rritur gjithashtu me 24% në të njëjtën periudhë. Objektivi i vendosur ishte që, 20-25% e të punësuarve në sektorin real të kenë rritje të shpejtë të pagave prej 600-6000 denarë në bazë të masës së paraparë me ligj. Shuma mujore e mjeteve të ndara nga Buxheti për këtë masë, të cilat direkt transferoheshin në fondet e sigurimeve shëndetësore dhe pensionale dhe Agjencinë për Punësim, fillimisht ishte 200 milionë denarë, me luhatje gjatë viteve. Qëllimi i ligjit që zgjati tre vite , ishte të inkurajojë punëdhënësit që të paguajnë paga më të larta për të përmirësuar standardin ekonomik të punonjësve dhe për të nxitur rritjen dhe zhvillimin ekonomik.
Instituti për Kërkime Ekonomike ndwrkohw vlerësoi se sa para janë shpenzuar për subvencione për të kontribuar në rritjen e pagave. Subvencioni i kontributit për rritjen e pagave prej 600 deri në 6.000 denarë për periudhën trevjeçare është futur në nëntor të vitit 2019. Shuma totale e saj prej gati 40 milionë euro në vitin 2021 e rendit atë në vendin e dytë për nga vëllimi pas subvencioneve bujqësore.
Masë e ngjashme u vendos në fund të vitit 2023, me subvencionimin e rritjes së pagave në sektorin privat si masë kundër krizës, por kësaj radhe qëllimi i subvencionimit ishte rritja prej 3.000 deri në 10.000 denarë për punëtorët nga punëdhënësit. Kjo vlente vetëm për ata, paga e të cilëve ishte deri në një herë e gjysmë mbi mesataren e tre muajve të fundit. Nga punëdhënësit kishte kritika për zbatimin e saj në praktikë dhe mos përfshirjen e veprimtarive të caktuara ekonomike. (koha.mk)