“Lufta” e partive për Like në Facebook


VMRO ka akuzuar LSDM-në se ka shpenzuar 280 mijë euro për reklama politike në rrjetin social Facebook, ndërsa LSDM është kundërpërgjigjur duke pretenduar se vetëm kryeministri Hristijan Mickoski ka shpenzuar mbi 60 mijë euro për promovime në këtë platformë

Ersan PAJAZITI

Shkup, 10 shkurt – Partitë politike VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë vazhduar debatin e ashpër mes tyre, duke ngritur akuza të ndërsjella për shpenzimet e bëra në reklama në rrjetin social Facebook. Në një përplasje të fundit mes dy partive, VMRO-DPMNE ka akuzuar LSDM-në se ka shpenzuar 280 mijë euro për reklama politike, ndërsa LSDM është kundërpërgjigjur duke pretenduar se vetëm kryeministri Hristijan Mickoski ka shpenzuar mbi 60 mijë euro për promovime në platformën Facebook.

Sipas një deklarate të publikuar nga VMRO-DPMNE, ata pretendojnë se fondet e shpenzuara nga LSDM-ja kanë pasur si qëllim mbulimin e përgjegjësisë për disa prej skandaleve më të mëdha që kanë tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut. “Derisa LSDM-ja vidhte shtetin, Zaevi dhe Kovaçevski shpenzuan edhe 280 mijë euro për reklama në Facebook. 280 mijë euro përfunduan në promovimin e politikave të dështuara të LSDM-së, të Zaevit dhe Kovaçevskit, të cilat e rrënuan vendin. LSDM, Zaevi dhe Kovaçevski dhanë 280 mijë euro për të mbuluar përgjegjësinë si për Spitalin modular në Tetovë, ashtu edhe për ‘Durmo Turs’, për tenderët e Vasko Kovaçevskit dhe për të gjitha krimet dhe zhvatjet që kryen”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE-së.

Ata shtojnë se këto para janë përdorur për të shpërqendruar popullin nga problemet e mëdha me të cilat përballet vendi, ndërsa ndërkohë, sipas tyre, njerëz të afërt me LSDM-në kanë përfituar personalisht.

“280 mijë euro – LSDM, Zaevi dhe Kovaçevski shpenzuan për të shpërqendruar popullin, ndërsa vëllezërit e Zaevit dhe Filipçes ndërtonin së bashku centrale fotovoltaike dhe ndërsa qeveria e Kovaçevskit jepte tokë për central diellor për gruan e tij. Në vend që t’i shpenzonin për popullin, LSDM, Zaev dhe Kovaçevski i harxhuan 280 mijë euro për gënjeshtrat dhe manipulimet e tyre”, thekson më tej VMRO-DPMNE. Në anën tjetër, LSDM-ja nuk ka qëndruar duarkryq dhe ka reaguar menjëherë ndaj këtyre akuzave, duke pretenduar se vetë Mickoski ka harxhuar shuma të mëdha për promovimin e imazhit të tij në Facebook.

“Vetëm një reklamë e tij kushton 600 euro – shumë më e madhe se paga minimale që ai vetë ua ‘rekomandon’ qytetarëve si të mjaftueshme për një muaj të tërë. Shpenzimet në periudhën e kaluar tregojnë se Mickoski ka shpenzuar mbi 60 mijë euro për reklama në Facebook”, deklaruan nga LSDM. Sipas kësaj partie, këto shpenzime të mëdha për reklama dëshmojnë hipokrizinë dhe arrogancën e qeverisë aktuale. “Ky qëndrim i shfrenuar është dëshmi e hipokrizisë dhe arrogancës së madhe të kësaj qeverie. Për Mickoskin, prioritet janë pëlqimet në fotot dhe videot e tij në Facebook, ndërsa populli lufton si ta përballojë muajin. Ky qëndrim vetëm sa e konfirmon se për këtë pushtet, qytetarët janë në vendin e fundit,” vijon reagimi i LSDM-së.

Këto akuza dhe kundër-akuza për shpenzimet e mëdha në reklama vijnë në një kohë kur qytetarët e Maqedonisë së Veriut po përballen me sfida të shumta ekonomike, përfshirë inflacionin dhe pagat e ulëta. (koha.mk)



Source link