
Viteve të fundit, Elektro-Ekonomia e Maqedonisë, centralin e Dibrës ia bashkangjiti hidrocentraleve të “Drinit të Zi” së bashku me hidrocentralin “Globoçica”. Tani selia e hidrocentralit të Dibrës “Spile” është në Strugë e jo në Dibër siç ishte më parë, edhe pse hidrocentrali i Dibrës prodhon dukshëm më shumë energji elektrike në krahasim me atë të hidrocentralit “Globoçica”
Vjollca SADIKU
Dibër, 16 shkurt – Në periudhën janar-dhjetor të vitit 2024 në hidrocentralin “Spile” në afërsi të Dibrës janë prodhuar 233 milionë kilovat orë energji elektrike. Këtë e kumtoi drejtoria e Elektro Ekonomisë të Maqedonisë, e cila ka potencuar se Programi për vitin e kaluar është realizuar 87 për qind. Burimi i njëjtë thekson se aktualisht, në liqenin artificial të Dibrës, prurjet nga lumenjtë Radikë dhe Drini i Zi janë 17 metër kub në sekondë, gjë që është më pak në krahasim me prurjet mesatare gjatë vitit të kaluar. Nga lumenjtë Radikë dhe Drini i Zi edhe këtë muaj ka ulje të prurjeve. Aktualisht në akumulimin e liqenit ka rezerva për prodhimin e 6.1 milionë kilovat orë energji elektrike. Po ashtu theksohet se kuota e lartësisë në akumulacionin e liqenin të Dibrës është 563 metra.
Aktualisht, liqeni i Dibrës, i cili është ngritur si akumulacion viteve të 60-ta ka një zbritje të kuotës në mbi 100 metra. Pjesa e liqenit nga Ura e Melniçanit e deri tek Ura e Kosovrasit ku faktikisht fillon liqeni është tërësisht e zbrazët. Gjatë vizitës që ia bëmë kësaj pjese të liqenit duket vetëm rrjedha e lumit Radikë, nga ku fillon dhe akumulimi nga Ura e Melniçanit. Rënia e nivelit të ujit në pjesën e liqenit tek pjesa e restoranteve dhe lokacionit të plazhit po ashtu duket se ka një tërheqje të madhe të ujit, për shkak se vazhdon prodhimtaria e rrymës elektrike në hidrocentralin “Spile”.
Shoqatat qytetare të kësaj ane thonë se niveli i ulët të liqenit drejtpërdrejt shkakton probleme për florën dhe faunën. Sipas tyre, kështu paraqiten edhe probleme me biodiversitetin e liqenit. Edhe pse reagimet janë të shumta, tradicionalisht drejtoritë e centralit dhe të EEM-së kanë sqaruar se ndërtimi i hidrocentralit është që nëpërmjet këtij akumulacioni, të realizohet prodhimtaria e rrymës elektrike.
Viteve të fundit, Elektro-Ekonomia e Maqedonisë, centralin e Dibrës ia bashkangjiti hidrocentraleve të “Drinit të Zi” së bashku me hidrocentralin “Globoçica”. Tani selia e hidrocentralit të Dibrës “Spile” është në Strugë e jo në Dibër siç ishte më parë, edhe pse hidrocentrali i Dibrës prodhon dukshëm më shumë energji elektrike në krahasim me atë të hidrocentralit “Globoçica”. Dibranët këtë aktivitet të EEM-së, e vlerësojnë si një lojë politike dhe etnike kundër Dibrës, ashtu siç ka ndodhur edhe mbyllja e zyrës kryesore e EVN-së në Dibër, ulja e kompetencave e DAP në Dibër, si dhe ulja e kompetencave në disa institucione qendrore që veprojnë në Dibër. Problemi në fjalë është debatuar në shumë takime të sektorit qytetar dhe jo vetëm. Edhe selektimi i punësimeve në hidrocentralin e Dibrës është në duart e partive që janë në pushtetin qendror , por ka shumë punësime edhe nga Struga dhe Ohri. (koha.mk)