LIGJET VETËM NË LETËR: Në vend nuk zbatohen standardet ndërtuese


Jakupi thekson se duhet të vihen në praktikë standardet evropiane për ndërtim, të cilat mbeten sfiduese për shkak të neglizhencës së komunave dhe inspektorëve

Urim HASIPI

Tetovë, 9 shkurt – Stilet arkitekturore evoluojnë dhe ndryshojnë me kalimin e kohës, duke reflektuar nevojat, teknologjitë dhe preferencat estetike të shoqërive që i krijojnë. Në vendin tonë, sipas arkitektit Enis Jakupi, kohët e fundit është e vështirë të flitet për stile të qarta arkitekturore, pasi ndërtimi po ndodh me ritme dhe standarde të ndryshme, por edhe të shpejta. Jakupi thekson se duhet të vihen në praktikë standardet për ndërtim, të cilat mbeten sfiduese për shkak të neglizhencës së komunave dhe inspektorëve, të cilët duhet të kontrollojnë përputhshmërinë e ndërtimit me ligjet.

“Evropa punon me Eurokode dhe rregullat e gjithë kandidatëve të Bashkimit Evropian, por edhe në Maqedoninë e Veriut që pretendon të jetë anëtare duhet standard të jenë eurokodet, që janë rregulla me të cilat duhet të punojë një rajon apo një shtet i caktuar. Rregullat me të cilat duhet të përdoret një beton i caktuar, aplikimin e konstruksioneve në dru, për çelikun, kombinimi beton-çelik, e kështu me radhë. Këto janë disa koncepte që ne duhet ti kemi parasysh gjatë aplikimit të një ndërtimi. Maqedonia e Veriut ka evoluar në aspekt të aplikimit të standardeve, mirëpo sa aplikohen në praktikë kjo lë për të dëshiruar. Për fat të keq, nëpër komunat tona, është bërë një koncept i çuditshëm: e merr lejen e ndërtimit dhe inspektorët nuk dalin në terren. Ata që i kontrollojnë këto standarde janë inspektorët që konstatojnë të gjithë gabimet. Këtu inspektorët merren me atë se a është bërë objekti më i madh apo më i vogël. Inspektori e ka grafën e tij ku duhet ti japë të gjitha vërejtjet. Standardet në letër i kemi shumë të mira, por jemi shumë larg asaj që duhet të jemi”, deklaroi arkitekti Enis Jakupi.

Në lidhje me praktikat e ndërtimit, Jakupi nënvizon se edhe pse objektet e ndërtimit janë projektuar në përputhje me standardet dhe normativat, ka një hendek të madh mes projektimit dhe realizimit të tyre.

“Komunat duhet të merren sa implementohen ligjet të cilat janë në fuqi, nëse implementohen ligjet dhe rregulloret. Në aspekt të projektit, të gjitha objektet i kënaqin standardet, normativat, rregulloret…, mirëpo në aspekt të praktikës nëse janë realizuar objektet ashtu siç janë planifikuar? Ne duhet të dimë se objektet në vendin tonë janë projektuar me 9 shkallë merkel e jo riter, se me qenë 9 shkallë riter, ndryshon relievi i tokës. Janë disa koncepte që ne i përziejmë, gjithë varet nga lëvizja e tokës. Në rajon jemi i vetmi shtet që kemi Institutin Sizmologjik Inxhinierik dhe duam ose jo, kemi pasur ligje të ndryshme që i kemi aplikuar, por tani jemi i vetmi shtet që, përveç që bëjmë fazën e statikës për ndërtim në aspekt të dokumentacioneve, duhet të marrim pëlqim nga Instituti se a i plotësojmë kushtet dhe konceptet objekti gjatë ndërtimit. Në aspekt të projektimit, situata është e kënaqshme por aspekt praktik lidhet me shumë dukuri”, sqaron Jakupi.

Ai po ashtu thotë se një nga problemet kryesore për të ardhmen arkitekturore të qyteteve, përfshirë Tetovën, është infrastruktura rrugore dhe menaxhimi i hapësirave private dhe publike. Ai kritikoi uzurpimin e hapësirave publike dhe krijimin e kushteve të papërshtatshme për qytetarët. Prandaj apelon që komunat të angazhohen në implementimin e ligjeve dhe rregulloreve që janë në fuqi. (koha.mk)



Source link